Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 19:18

Ndryshimet e ndërmarra nga qeveria në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale parashikojnë rritjen e penaliteteve financiare për ata që abuzojnë me të dhënat personale.

Çdo person juridik apo fizik, institucion apo agjenci që zotëron apo trajton të dhëna personale, në rast se abuzon me to, atëhere penalizohet me gjobë që varion nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë. Në ligjin aktual, gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë.

Kjo rritje e masës së ndëshkimit financiar, sipas relacionit të projektligjit, synon të ndikojë në parandalimin e abuzimeve me të dhënat personale.

Po ashtu, në ligj është parashikuar edhe një ndryshim tjetër, i cili i rrit kompetencat institucionit ë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Çdo institucion apo organ, është i detyruar me ligj që të bashkëpunojë me Komisionerin, si dhe të respektojë kodet apo normat që propozohen nga ky autoritet lidhur me ruajtjen e të dhënave.

Këto ndryshime, sipas relacionit të projektligjit, synojnë të rrisin sigurinë për të dhënat personale,për të shmangur kështu edhe abuzimet apo keqpërdorimin e tyre.

Projektligji do të diskutohet javën e ardhshme në komisione, për të kaluar më pas për votim në seancë plenare.