Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 09:30

Bukuresht – Rreth 30 persona janë plagosur mbrëmë në Bukuresht gjatë protestave kundër masave qeveritare për kursim, të cilat kaluan në përleshje, deklaruan përfaqësuesit shëndetësorë.

Kabineti qeveritar mbajti mbrëmë seancë të jashtëzakonshme për shkak të protestave të dhunshme, të cilat nuk tregojnë shenja se do të shuhen.

Drejtori i Shërbimit për ndihmën e shpejtë në Bukuresht Kristian Grashu deklaroi se në protesta janë plagosur 33 persona. “Pesëmbëdhjetë prej tyre, në mesin e të cilëve edhe tre policë, janë dërguar në spital, ndërsa të tjerëve u është ofruar ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes”, shtoi ai.

Një gazetar i stacionit televiziv privat Antena 3 u godit nga protestuesit, gjatë kohës që ishte në transmetim të drejtpërdrejt.

Rreth një mijë persona u mblodhën dje pasdite në sheshin universitar në Bukuresht, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Trajan Basesku, të cilin e akuzuan se është shkaku kryesor për përkeqësimin serioz të standardit jetësor në Rumani.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Emil Bok ka thënë se zgjidhja e vetme është dialogu, e jo gjuajtja me gurë, gjë që mund të rrezikojë jetën e njerëzve. Në pyetjen për dorëheqje eventuale Bok theksoi se Parlamenti është ai që duhet të vendos për fatin e Qeverisë. “Në periudhën e tanishme të krizës, stabiliteti politik është me rëndësi kyçe”, shtoi ai.

Ndërsa presidenti i Rumanisë, Trajan Bashesku ende nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me protestat.

Në fund të këtij viti në Rumani duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.