Mitrovicë – Policia ka bërë të ditur edhe zyrtarisht, sot, se “dy grupe të personave nga Zveqani dhe Mitrovica, raportohet të kenë qenë të përfshirë në një rrahje masive në veri të Mitrovicës”, ashtu sikur më herët kishte raportuar edhe Portali LajmeShqip.com.
Incidenti i rrahjes, besohet të ketë filluar rreth orës 13:00, në rrugën “Mbreti Petër”, përkatësisht në një bastore sportive, “Zerobet”, ndërsa grupi i të rinjve fillimisht ka demoluar xhamat dhe inventarin e lokalit, për të hedhur më pas një mjet piroteknik brenda në lokal, me qëllim të shkaktimit të zjarrit, bën të ditur komunikata e policisë.
Mjeti piroteknik është nxjerrë jashtë nga pronari i lokalit për të parandaluar zjarrin, ndërsa së paku një person ka përfunduar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime trupore në kokë dhe në duar. Sipas raportit mjekësor, lëndimet i përkasin natyrës së lehtë.
Ndjekja dhe rrahja e grupeve të të rinjve, ka vazhduar edhe në dy lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës, ndërsa njësitë policore të stacionit veri dhe atij në Zveqan, janë vënë në kryerje të detyrës për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës.
Dyshohet se motiv i mundshëm i kësaj rrahje është konflikti i interesit të grupeve huligane, bën të ditur policia.
Hetuesit policorë të stacionit veri në Mitrovicës, kanë iniciuar hetimet për vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “dëmtim të pronës” dhe “shkaktim të lëndimeve trupore” ndërsa janë në proces të mbledhjes së informatave për identifikimin e mundshëm të personave të përfshirë në rrahje.
Incidente të tilla të grupeve të të rinjve nga Zveqani dhe Mitrovica, janë raportuar të kenë zënë vend edhe më herët.
Nuk është raportuar për të arrestuar deri në këtë moment, përfundon komunikata e policisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 September 2011 18:26 