Lajme Shqip Wednesday, 18 July 2012 12:30

Bruksel (PLOTESUAR 18 Korrik 2012, 18:15)- Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso ka bërë me dije, se pavarësisht se kush është në qeveri në Serbi, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. “Ne presim që të gjitha çështjet që janë relevante për rajonin të diskutohen. Për këtë i kam bërë një apel të fuqishëm edhe presidentit të Sebrisë, në vizitën në Bruksel. Ne presim që edhe Kosova ta bëjë të njëjtën gjë”, tha Barroso pas një takimi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit ka përsëritur se për pjesën veriore të Kosovës, nuk mund të ketë zgjidhje tjera, pos atyre që gjenden në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ajo ka thënë se nuk duhet që të bëhen dallime dhe komunitetit serb në komunat veriore të Kosovës t’u jepen të drejta më të mëdha sesa atij në komunat në jug, si në Shtërpce apo Graçanicë. “Kjo do të shfaqte pakënaqësi mes komunietet serb dhe do të rrezikonte emigrimin nga njëra komunë në komunën tjetër”, tha Jahjaga. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Bruksel – Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompoy tha sot se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës.

Këto komente, Rompuy i bëri në konferencën e përbashkët për media, me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë në Bruksel. Jahjaga shprehu pakënaqësinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të zhvilluar deri më tani, ndërsa kërkoi nga BE-ja që të gjejë mekanizma për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Këtë mesazh dha nga Brukseli presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuy, i cili tha se progresi në veri të Kosovës arrihet vetëm përmes dialogut. “Palët duhet gjithashtu t’u adresohen çështjeve në veri të Kosovës, për të mirën e qytetarëve që jetojnë atje. Unë mbetem i bindur se gjithsesi vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë mënyra më e mirë për të arritur këtë progres dhe për të siguruar një stabilitet të mëtutjeshëm dhe zhvillim të mëtutjeshëm në rajon”, tha Rompuy, siç transmeton RTK.

Ai tha se në dialogun e zhvilluar deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, janë arritur rezultate të prekshme, mirëpo sfidë vazhdon te mbetet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Presidentja Atifete Jahjaga nga ana tjetër, kërkoi nga BE-ja që të bëjë më shumë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë. “Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe ne kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejnë mekanizmat për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Jahjaga. Ajo tha më tej se Kosova pret që Serbia t’i normalizojë marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën, ngase ky është një faktor paqeje që do të ndikojë drejtpërdrejt në eliminimin e strukturave kriminale që vazhdojnë ta mbajnë peng integrimin e tri komunave veriore të Kosovës.

Jahjaga tha se institucionet e Kosovës po vazhdojnë me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. “Të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë të gjitha procedurat që dalin nga ato”, tha Jahjaga.

Presidenti i BE-së, Herman Von Rompuy shprehu përkushtimin e BE-së për perspektiven evropiane të Kosovës, përderisa shtoi se do të vazhdohet me prezencë edhe më të fuqishme të EULEX-it në Kosovë. (LajmeShqip.com)