Lajme Shqip Thursday, 12 January 2012 18:28

Mitrovicë- Rojat personale të gjeneralit serb Ratko Mlladiç, kriminelit të luftës në Bosnje, të premtën do të jenë në veriun e Kosovës në festën e Vitit e Ri ortodoks, kanë njoftuar burime të portalit.

“Rreshti i Çelikët“ (Gvozdeni stroj) rreth 20 ish-luftëtarë, pritet që të premten, të futen në Kosovë përmes rrugëve ilegale që janë hapuar në afërsi të pikalimit kufitar në Jarinjë. Mesohet se në këtë grup kriminal dhe shumë radikal do të jenë mbi 20 persona ku do të marrin pjesë edhe në një koncert që është parashikuar në veri nga ana e bandës muzikore serbe “Ribla Corba“.

 “Gvozdeni stroj“, njihet si grupi që ka mbrojtur kriminelin më famëkeq që pas luftës së Dytë Botërore, Ratko Mlladiç, nga arrestimet e hetuesve të Gjykatës së Hagës. Gjithashtu ky grup është i njohur edhe për krimet e mëdha që ka bërë në popullatën boshnjake dhe atë kroate në Bosnje, kanë thënë burime të portalit.

Në anën tjetër në qarqet e ngushta të udhëheqësisë së Qeverisë së Serbisë si dhe në Presidencë, barrikadat e veriut të Kosovës, quhen si barrikadat të drogës. Barrikadat e drogës janë barrikadat që janë vendosur në veriun e Kosovës me të vetmin qëllim që në këtë pjesë të kalojë trafiku i drogës lirshëm dhe i pa penguar nga cilido institucion i sigurisë.

Burime të portalit kanë thënë se Qeveria në Beograd ka ngritur një grup hetuesish që të hetojnë rastet e trafikut të drogës nga ana e të arrestuarve, vëllezërve Veselinoviç. Sipas burimit, Veselinoviçët i kanë vendosuar barrikadat me qëllimin e vetëm që të shërbejnë në kontrabandimin e drogës dhe përfitime të tyre personale.

Grupi punues pritet që në mesin i javës së ardhëshme të raportojë për barrikadat e drogës dhe implikimin e Veselinoviçëve në këtë biznes shumë fitimprues.

Në bazë të këtij raporti që ndodhet në dorën e portalit LajmeShqip.com, thuhet se veselinoviçët dhe grupi tjetër serb i veriut të Kosovës nuk janë të interesuar fare që të vendoset rendi në veri për arsye se me këtë do të dëmtohen interesat e tyre kriminale dhe të kontrabandimit e më se shumti ato të narkotikëve.