Prishtinë -Presidentja Jahjaga dhe zoti Rohan biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset e integrimit nëpër të cilat po kalon vendi, marrëdhëniet ndërfqinjësore në rajon dhe ato me BE-në si dhe për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për angazhimin e zotëri Rohan në grupin “Miqtë e Kosovës”.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po shënon përparim në proceset integruese dhe se me marrjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës dhe BE-ja kanë hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ish i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës Rohan, theksoi se Kosova ka shënuar përparime në fusha të ndryshme por tha se ajo duhet të ndërmarrë hapa të nevojshëm në zbatimin e plotë të Planit Ahtisaari, në veçanti në tri komunat në veri të Kosovës, për përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Në takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me ish-zëvendës kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Ambasadorin Albert Rohan u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe për çështje tjera me interes.
Kryeministri Thaçi e njoftoi atë lidhur me punën që po e bën Qeveria e Republikës së Kosovës në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit.
Ish-zëvendës kryenegociatori për statusin e Kosovës, Ambasadori Albert Rohan u shpreh i kënaqur me punën që është bërë në Kosovë,
dhe shprehu bindjen e tij që fundi i këtij viti do të gjejë Kosovën me një proces të përmbylljes së suksesshme të mbikqyrjes së pavarësisë. Ambasadori Rohan edhe njëherë shprehu bindjen e tij që shteti i Kosovës është një histori suksesi dhe e ardhmja e Kosovës pas asnjë dyshim do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 19:40