Prishtinë-Pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian.
Kështu shprehet zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan në një intervistë për Radon Evropa e Lirë.
Rohan e cilëson procesin e dialogut mjaft pozitiv dhe në interesin e të gjithëve ndërsa mendon se BE duhet të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit.
“Është në interesin e të gjithëve të ndërpritet në veri. Mendoj se procesi është një gjë pozitive, por ajo që nevojitet janë rezultatet. Nuk janë të nevojshme vetëm marrëveshjet, por është i nevojshëm zbatimi i atyre marrëveshjeve. Ndaj, shpresoj që BE-ja si ndërmjetësuese do të bëjë më shumë presion në muajt e ardhshëm rreth arritjes së më shumë marrëveshjeve para se të nisin zgjedhjet serbe”-thotë Rohan.
Sipas tij dialogu mes dy vendeve nuk ka të bëjë me njohjen e Kosovës, por me jetën e përditshme të njerëzve.
“Askush nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën tani. Ajo që mund të pritet nga Serbia është që ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe që të mundësojë marrëveshjet praktike të cilat ishin të pamundura në të kaluarën. Çështja e njohjes do të mbetet e hapur dhe do të shtrohet më së largu nëse një ditë Serbia do të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në BE, sepse pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën Serbia kurrë nuk mund të jetë pjesë e Be-së. Kjo është e qartë”-shprehet Rohan.
Ai pranon se hapat e bërë deri më tani nga Serbia nuk kanë qënë të mëdhenj dhe se jemi ende shumë larg normalizimit të marrëdhënieve.
“Serbia duhet ta lejojë Kosovën të marrë pjesë në nismat rajonale. Kjo do të jetë çështja e radhës në agjendë që të caktohet një term i pranueshëm. Por, kjo është ende larg heqjes së pengesave nga Serbia për të lejuar Kosovën të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare”-shprehet Rohan.
Zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës shpreh keqardhje që pesë shtetet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, pasi vendimi i vitit të kaluara i GJND-së u dha atyre mundësinë për të ndryshuar qëndrim dhe për tiu bashkuar konsensusit të shumicës brenda BE-së.
“Fakti që BE-ja nuk ka një qëndrim të përbashkët e dobëson rolin e saj, pengon punën e EULEX-it, ia vështirëson Serbisë ta pranojë situatën e pakthyeshme, andaj mendoj se qysh moti ka ardhur koha që këto pesë shtete ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Por, siç e thashë, nuk është në duart e kosovarëve, ata kanë bërë gjithçka të mundshme për t’i bindur këto shtete dhe kanë gjetur hapësirë për bashkëpunim praktik”-vazhdon më tej Rohan.
Ai shprehet i bindur se këtë vit se mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas të gjitha gjasave, po i afrohet fundi dhe se për këtë çështje janë pajtuar pothuajse të gjithë. Rohan shprehet gjithashtu i bindur se plani Ahtisaari mbetet vetmja zgjidhje e pranueshme për veriun e Kosovës.
Tuesday, 03 January 2012 12:24