Moskë – I dërguari i Rusisë në NATO, Dmitry Rogozin, duke folur për televizionin “RussiaToday” (RT), ka thënë s
e Aleanca po krijon një konflikt të ri në rajon.
“Është një gabim i radhës që NATO po e bën duke provokuar një konflikt të ri në Ballkan”, ka thënë Dmitry Rogozin, duke shtuar se, “me sa duket, kolegët e NATO-s nuk e kanë idenë se cilat do të jenë pasojat e përfshirjes së tyre në konflikt”.
Ndërkaq, Rogozin kërkon që KFOR-i të jetë neutral dhe të mos bllokojë qasjen e serbëve të veriut me Serbinë, duke shtuar se ata po përfshihen në një konflikt civil.
Rogozin thotë se NATO nuk dëshiron të diskutojë situatën në Kosovë apo të hetojë aksidentin e fundit të përgjakshëm.
“Kërkova zbatim të hetimit objektiv për veprimin e ushtarëve paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Por, ata po e injorojnë pyetjen time”, theksoi Rogozin.
Ai theksoi se Rusia nuk do ta mbështes (NATO-n) dhe do t’i mbrojë civilët, si dhe do t’i mbrojë vendimet e marra në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
I pyetur se çfarë mendon me atë, kur thotë se, kjo gjendje e paqëndrueshme në rajon, kërcënon të gjithë sigurinë evropiane, ai tha se kjo gjendje mund të eskalojë në një Luftë Botërore, si dhe Kosovën e quan një ‘territor gangsterësh’.
“Kemi pasur raste në të kaluarën kur siguria evropiane është rrezikuar nga gjendja në Ballkan. Nëse shikojmë të kaluarën, mund të kujtojmë se Lufta Botërore ka nisur nga konflikti në Ballkan. Mund të ndodhë që konflikti të përhapet në të gjithë Ballkanin dhe eventualisht, kjo gjendje mund të përhapet në pjesën tjetër të Evropës. Kjo ndodh gjithmonë: nis me një luftë në Ballkan, dhe vetëm disa muaj më vonë, vazhdon e përgjithësohet në Evropë, dhe përfundon në një Luftë Botërore. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Rogozin në fund të intervistës me televizionin RT.
Thursday, 29 September 2011 09:01