Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 17:05

Tiranë – SHBA ka deklaruar dhe njëherë mbështetjen e pakufishme për vendin tonë në përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në BE.

Deklarata është bërë nga i Ngarkuari me Punë në misionin e SHBA në OSBE, Gary Robbins, në përgjigje të fjalimit të zv/kryeministrit dhe ministrit të Puneve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në sesionin e Këshillit të përhershëm të OSBE më 14 tetor.

Robbins, duke falenderuar ministrin Haxhinasto për fjalën e tij, vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes SHBA dhe Shqipërisë si në Tiranë, në Uashington, në Vjenë e gjithandej. Robbins theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në dy dekadat e fundit në forcimin e demokracisë.

Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, zyrtari i lartë amerikan tha se raporti përgjithësisht pozitiv i ODIHR lidhur me këto zgjedhje dëshmon progresin e Shqipërisë, por raporti bën dhe disa vërejtje në këtë proces. Ndaj SHBA inkurajon implementim të plotë të rekomandimeve të raportit të ODIHR, veçanërisht të amendamenteve për Kodin Elektoral, në mënyrë që të adresohet vlefshmëria e votave në kutitë e gabuara, adoptimi i procedurave për përfshirjen e këtyre votave në tabelën e rezultateve, etj, tha z. Robbins.

Gjithashtu në mesazhin e tij z. Robbins inkurajoi partitë politike në Shqipëri të përmbahen nga retorika partiake përçarëse, në favor të dialogut praktik e politik për të rritur besimin te populli shqiptar në sistemin e tyre demokratik.

Robbins vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Lidhur me Kosovën, zyrtari i lartë amerikan në OSBE theksoi se SHBA mbështet një Kosovë të pavarur, demokratike, multietnike dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga BE, për të gjetur zgjidhje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Dhuna e kohëve të fundit është e papranueshme, theksoi Robbins.