Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 21:28

Anëtarja e jurisë së “X Factor”-it britanik, Rita Ora, edhe më parë është shprehur e emocionuar për dekorimin me çmimin Ambasadore e Nderit e Kosovës nga presidentja Atifete Jahjaga, në muajin korrik.

Por, së fundi në një intervistë për HuffPost, këngëtarja me prejardhje kosovare foli për detyrën e saj si Ambasadore nderi e vendlindjes së saj, raporton emisioni “Express” i KTV-së.

 “Unë nuk e kuptova realisht në fillim, kur vizitova vendin dhe takova presidenten dhe u takova me gjithë ekipin tjetër. Nuk e dija në fakt as si të ecja, por është e jashtëzakonshme. E pyeta, çfarë mendon ti se unë saktësisht mund të bëj? Dhe ajo tha: atë çfarë po bëje”, tregoi ajo.

Rita Ora që nga ngjitja e saj në majat e skenës muzikore, asnjëherë nuk e ka lënë anash prejardhjen, duke e promovuar në mënyra të ndryshme, nga klipi i këngës të cilin e xhiroi në Kosovë e deri tek intervistat, ku shpeshherë është shprehur se “krenarinë e ka në gjak sepse jam shqiptare”

 “Unë gjithmonë e ndieja një emocion të veçantë rreth asaj se nga jam dhe gjithmonë përpiqesha të vetëdijesoja njerëzit rreth Kosovës dhe të qenit shqiptar dhe të qenit krenar se nga jam unë. Mendoj se njerëzit edhe mund të dinë për atë vend, për luftën e gjëra të tilla, por unë mendoj se ai vend ka më shumë gjëra për të ditur se atë çfarë shohim.

Mendoj se politikisht gjithçka që bëjmë si komb, gjithçka, qoftë ajo edhe llogaria që e hapim në iTunes, hapim dyert për botën. Do të duhet pak kohë, por ky është qëllimi im që të ngremë vetëdijen e gjeneratës sonë, të rrimë së bashku, e gjëra të tilla. Dhe të veprojmë si një”, është shprehur Rita.

24 vjeçja është lindur në Kosovë, por ishte shpërngulur bashkë me familjen e saj në Britani të Madhe, kur ishte vetëm 1 vjeçare.

Rita aktualisht është duke e shijuar suksesin e këngës “Body on me”, një bashkëpunim ky me Chris Brown. Ajo është shprehur se nuk e ka idenë për reagimet e Rihannas për këngën dhe klipin e ri me Chris Brown ‘Body on me’, por asaj nuk i interesojnë fjalët dhe gjithmonë do mbetet fanse e Rihannas dhe gjithë femrave në showbiz.