Tiranë – Kodi aktual Zgjedhor në Shqipëri parashikon që rezultati zgjedhor del pasi të numërohen të gjitha fletët e votimit dhe në këto kushte, KQZ konstatoi që jo të gjitha fletë e votimit ishin të numëruara, pasi janë hedhur në kutinë e gabuar.
Në një intervistë të dhënë sot për ATSH, Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, shpjegon bazën ligjore të aktit që u votua në KQZ për të vepruar si KZAZ.
Ai nënvizon se “e vetmja mundësi për ta zgjidhur këtë çështje dhe për të numëruar votat e votuesve shqiptarë, të cilëve edhe Kushtetuta ua njeh të drejën për të zgjedhur, ndërsa edhe Kodi aktual Zgjedhor, parashikon që ata kanë të drejtën e tyre për të votuar dhe vota e tyre është e barabartë, do të thotë që vota numërohet për të gjithë”.
Sipas tij, në kushtet kur kutia ka efekt vetëm për administrimin zgjedhor, për zgjedhësin kutia nuk ka domethënie.
“Në këto raste, votat janë të vlefshme, por janë në kutinë e gabuara dhe kjo ishte arsyea se përse morëm vendimin për numërimin e të gjitha votave të panumëruara, pasi është detyrë e KQZ-së për të garantuar barazinë e votës së zgjedhësve”, nënvizon Ristani.
Në intervistën e tij, Ristani shpjegon garancinë që ka ky sistem për autenticitetin dhe vërtetësinë e votave të devijuara jashtë kutive.
“Sistemi zgjedhor aktual në Shqipëri, është i ngarkuar me masa sigurie, dhe çdo gjë është e dokumentuar, pasi kutitë janë të mbyllura me kode sigurie dhe numrat e kodeve janë të regjistruara në procesverbale”, thotë kreu i KQZ-së.
Ai shpjegon se procesverbalet, pasi mbyllen në kutitë nga komisionet e nivelit të dytë, bashkë me kutitë vijnë në KQZ, i cili bën regjistrimin e kutive si dhe kodet përkatëse .
Më pas KQZ u jep nga një kopje të këtij procesverbali kryetarit të komisonit të nivelit të dytë, nën/kryetarit të komisionit të nivelit të dytë dhe sekretarit.
“Sistemi është tërësisht i sigurtë për integritetin e kutive, ne i lexojmë kodet në sytë e kamerave dhe të gjithë vëzhguesve që janë prezent, pasi hapim kutinë marrim vetëm fletë që nuk janë numëruar dhe e mbyllim kutinë përsëri duke lexuar kodet”, vë në dukje Ristani.
Kreu i KQZ-së shpreh shqetësimin edhe për presionin e madh politik që po ushtrohet gjatë procesit të punës së KQZ-së aq më tepër sipas tij, “kur kryhen edhe veprime të tilla si pushtimi i institucioneve”.
Lidhur me sulmet verbale ndaj tij nga përfaqësues të opozitës, Ristani i cilëson ato “thjesht të nisura nga interesa politike”, ndërsa vë në dukje se punën e tij si kryetar të KQZ-së, e mat duke u bazuar në dy kritere, në raportet e OSBE/ODIHR-it dhe vendimet e gjyqësorit.
“Punën time e mas në raportet e OSBE/ODIHR-it, i cili në 2009 e cilësoi punën e kryetarit të KQZ-së si një njeri që ka mbajtur mirë balancën dhe ka tentuar konsensusin maksimal, ndërsa në raportet paraprake e cilësojnë punën e KQZ-së si komision transparent, të paanshëm dhe profesional”, nënvizon ai.
“Elementi i dytë, me të cilin mas punën time, janë vendimet e gjyqësorit. Në rast se do të na prishen vendimet nga gjyqësori, do të më duhet sigurisht të mendoj se diçka në punën time ka çaluar dhe duhet ta riparoj, por në zgjedhjet e 2009, në 12 vendime përfundimtare të KQZ është prishur vetëm një”, përfundon kreu i KQZ-së, Arben Ristani.
Friday, 20 May 2011 17:14