Tiranë – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, iu përgjigj të hënën akuzave të opozitës lidhur me vendimmarrjen e këtij institucioni, duke theksuar se “KQZ ka zbatuar vetëm ligjin dhe se kriter i punës së saj është shteti ligjor”.
“Kriter i vlerësimit të punës së KQZ-së është shteti ligjor dhe jo konferenca e radhës për shtyp e kujtdo partie politike në vend. Në mënyrë konsekuente ne kemi zbatuar ligjin dhe se kriter i vlerësimit është shteti ligjor”,- deklaroi Ristani.
Ai theksoi se për punën e KQZ-së kanë folur gjykatat dhe arbitri ndërkombëtar, OSBE dhe ODIHR, ndërsa sa i takon zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, mandati i Komisionit mbaron në muajin shkurt 2013.
Nisur nga akuzat që opozita ka bërë në adresë të tij, Ristani tha se “nuk merret me politikë” , ndërsa i pyetur nëse do të jetë në krye të KQZ-së, nëse propozohet sërish, ai u përgjigj se “puna që bëj është puna që dua dhe që pëlqej”.
Deklarata e Arben Ristanit u bë pas punimeve të konferencës “Trashëgimia zgjedhore evropiane: 10 vjet të kodit të praktikës së mirë për çështjet zgjedhore”, e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 12:30