Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 15:03

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas kqyrjes të enjten paradite të fletëve të kontestuara në pesë kuti të KZAZ-së nr. 48, njësia 4, vendosi, me katër vota pro, të ndryshojë tabelën e rezultateve, në kolonën e shpërndarjes së votave të vlefshme, me 4 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe me asnjë votë në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Nga hapja deri mesditën e sotme të pesë kutive të reja konstatohet se përkatësisht: në kutinë me nr. 17 93 janë verifikuar katër fletë të panumëruara, 1 për kandidatin e bashkisë Tiranë, Lulzim Basha dhe tre për kandidatin e minibashkisë nr.4, Hysen Gjura.

Në kutinë 17 96 rezultojnë dy fletë të panumëruara, një për kandidatin Basha dhe një për kandidatin për kryetar minibashkie Hysen Gjura.

Në kutinë 17 97 janë gjetur dy fletë të panumëruara, por ajo për kandidatin Basha u konsiderua e pavlefshme nga KQZ, ndërsa fleta tjetër i përkiste kandidatit për kryetar të minibashkisë 4, Hysni Gjura.

Në kutinë 17 99 konstatohet 1 fletë e vlefshme për kandidatin Lulzim Basha dhe një tjetër fletë për kandidatin për njësinë bashkiake 4, Vahid Kalaja.

Ndërsa në kutinë 18 09/1 u verifikua një votë e panumëruar e konsideruar e vlefshme për kandidatin për kryetar bashkie Lulzim Basha dhe dy fletë për kandidatin për kryetar minibashkie Vahid Kalaja.

Nga hapja deri tani e 25 kutive të dy KZAZ-ve, përkatësisht nr. 47 dhe nr. 48 rezulton që në favor të kandidatit të maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha janë shtuar 50 vota, ndërsa për kandidatin e opozitës, Edi Rama 14 vota.

Ndërsa KQZ ka rinisur procesin e numërimit të fletëve të kontestuara për bashkinë e Tiranës, i ndërprerë për shkak të një pushimi të shkurtër, aktualisht selia e KQZ vijon të jetë e rrethuar nga forca të shumta policie, përballë të cilëve qëndrojnë simpatizantë dhe deputetë të PS-së, të cilët kundërshtojnë vendimmarrjen e KQZ-së për votat e pavlerësuara në kryeqytet.