TIRANË – Konventa Kombëtare e Partisë Socialiste nisi punimet pasditen e sotme me një fjalim të shkurtër të kryesocialistit Edi Rama, i cili shpjegoi se kjo konventë do të shërbejë për tu dhënë përgjigje pyetjeve të qytetarëve dhe për t’i njohur ata me angazhimet dhe propozimet e socialistëve, për ta kthyer Shqipërinë, siç tha ai, në drejtimin e duhur.
“Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë, cila është zgjedhja që do të bëjnë shqiptarët më 23 qershor. Ku ndryshojnë në të vërtetë vizionet, idetë, rrugët e të tjerëve me rrugën e PS. Pse Shqipëria sot shkon në drejtimin e gabuar, çfarë propozojmë ne për kthimin e vendit në drejtimin e duhur. Çfarë do të bëjmë ne për ta zbrapsur krimin, si do ta ndalim rritjen e mëtejshme të papunësisë. Pse ne socialistët nuk e pranojmë taksen e sheshtë. Si do ta transformojmë ne sistemin e taksave. Cili do të jetë statusi i ri social i sipërmarrësit falë politikës sonë të re mbi sipërmarrjen. A do ta vendosim ne drejtësinë dhe rendin. Ku po shkon gjenerata e re. Çfarë do të ndryshojë për mësuesit, po për prindërit, si do të bashkëpunojë qeveria jonë me komunitetin për të rritur cilësinë dhe suksesin e shkollave. Si do ta mbyllim në epokën e fabrikave të diplomave pa vlerë. Po te përndjekurit pse do të gjejnë më në fund tek PS partnerin që u ka munguar në krahun tjetër, çfarë do të bëjë qeveria jonë për garantimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”- u shpreh Rama.
Përmes kësaj konvente, që pritet të vijojë punimet edhe të shtunën, do të prezantohet në detaje programi elektoral i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”. Kryetarët përkatës të grupeve të punës për programin, do të prezantojnë të gjithë strategjinë që Partia Socialiste do të ndjekë për të arritur atë që e konsideron si Rilindje të Shqipërisë.
“Njerëzit thonë se ne politikanët merremi shumë me imazhin. Në fakt duhet të merremi, nëse njerëzit nuk na pëlqejnë të folurën, dukjen rrezikojnë të mos na dëgjojnë fare. Kjo konference kombëtare është e rëndësishme, pasi tregon se sa seriozisht ne i marrim njerëzit, se sa përgjegjësi ndjejmë ndaj publikut që duam t’ia përcjellim sa më të plotë pamjen që duam të jemi dhe atë që duam të bëjmë pas zgjedhjeve të 23 qershorit.”- deklaroi Rama.
Kreu i PS-së bëri të ditur se “gjatë dy ditëve do të mbledhim sugjerimet e fundit, kritikat e fundit, më pas do vazhdojmë me cdo rajon për detajimin e mëtejshëm të programit në varësi të nevojave rajonale”. Ai përfundoi duke shtuar se Konventa Kombëtare është faza e parafundit e kurorëzimit të fitores për një Rilindje Kombëtare, e cila sipas tij realizohet me forcat e socialistëve në ndryshim nga pala tjetër që sipas tij kanë nevojën e konsulencës së huaj.
Konventa po vijon punimet në Pallatin e Kongreseve, në prani të shumë delegatëve.
RAMA: KURORËZOJMË RRUGËN DREJT FITORES ME FORCAT TONA JO SI PD
Kryesocialisti Edi Rama gjatë një prononcimi për mediat përpara fillimit të punimeve të Konventës, ka ftuar gjithë shqiptarët që të ndjekin konferencën kombëtare të PS-së për një “Rilindje Kombëtare”.
Rama tha se Konventa Kombëtare është faza e parafundit e kurorëzimit të fitores për një Rilindje Kombëtare, e cila sipas tij realizohet me forcat e socialistëve ndryshim me demokratët që sipas tij kanë nevojën e konsulencës së huaj.
“Dëshiroj të ftoj të gjithë shikuesit e të gjitha ekraneve tuaja se nga ora 4 t ulen para ekraneve dhe të ndjekin konferencën tonë kombëtare për programin e ri të PS për një rilindje shqiptare e cila nis sot dhe vijon edhe nëse paradite ne dy seanca intensive paraqitje të programit pas një rruge të gjatë takimesh, konsultimesh, me ekspertë, shoqëri civile, grupe interesi dhe specialistë të huaj në prag të përpunimit përfundimtar që do bëhet bazuar edhe cfarë do dëgjojmë si reagime nga publiku dhe do marrim si kritika nga ndjekësit tanë në rrjete sociale dhe do konstatojmë me partinë socialiste në të gjithë territorin. Është faza e parafundit dhe kurorëzohet sot në një organizim të vecantë sic është si gjithmonë që hapim shtigje të reja dhe të tjerërt nda ndjekin pas, jemi në që kemi mordenizuar rrugën e komunikimit dhe fushatat ndërkombëtare, të tjerët marrin konsultentë të huaj dhe ne e bëjmë me forcat tona në fushatën e fitores për një Rilindje Kombëtare”, tha Rama.(LajmeShqip.com)
Friday, 22 February 2013 18:55