Washington – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit në Departamentin e Shtetit nga Zëvendëssekretari i Shetit, William Burns.
Thaçi në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës falënderoi zëvendëssekretarin e Shtetit, Burns për ndihmën e vazhdueshme dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ndihmuan dhe përkrahën Kosovën në momentet vendimtare, si në të kaluarën ashtu edhe në konsolidimin e shtetit të ri.
Thaçi e njoftoi zëvendëssekretarin e Shtetit Burns për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, dhe tha se kjo marrëveshje duhet të fillojë të implementohet nga të dyja palët.
“Në tërë procesin e arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jo vetëm mbështetës, por e garantues se një marrëveshje e arritur midis dy vendeve me një konflikt të vjetër, do të jetë në dobi të të dyja vendeve, që synojnë, të pavarura integrimin në institucionet euratlantike. Ndihma e SHBA-së gjithmonë ka qenë vendimtare” tha kryeministri ai.
Kryeministri Thaçi tha se Kosova është e gatshme për fillimin e implementimit të kësaj Marrëveshjeje, duke bërë edhe ndryshimet legjislative, që do të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës është duke dërguar mesazhe te qytetarët e veriut, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës.
Në takim kryeministri Thaçi foli edhe për agjendën e Kosovës për njohjet ndërkombëtare, dhe falënderoi administratën e SHBA-ve për kontributin e dhënë në drejtim të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga shumë shtete të botës.
“Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të përmbush të gjitha kriteret për t\’u bërë pjesë e institucioneve të BE-së dhe NATO-s, duke prodhuar argumente për mbështetje nga administrata e SHBA-ve”, tha mes tjerash kryeministri Thaçi.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Burns, shprehu mirënjohje për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi për arritjen e Marrëveshje dhe shprehu besimin se do të fillojë implementimi i saj. Zëvendëssekretari Burns siguroi përkrahjen e SHBA-ve për Marrëveshjen e arritur, dhe se në të ardhmen nuk do të mungojë asnjëherë kontributi i SHBA-ve që kjo Marrëveshje të jetësohet.
Po ashtu, zëvendëssekretari Burns theksoi se SHBA-të përkrahin agjendën e integrimeve evropiane për Kosovën si dhe do të kontribuojnë në rritjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Wednesday, 12 June 2013 10:43