Shkup- Republika e Maqedonisë është temë e vazhdueshme në NATO, por ftesën për anëtarësim në Aleancë do ta marrë pasi të zgjidhet kontesti me emrin, deklaroi Filip Riker, zëvendës ndihmës sekretari amerikan për çështje evropiane dhe evroaziatike, pas takimit të sotëm me kryeministrin Nikolla Gruevski.
“Maqedonia është çdoherë në axhendën tonë dhe është temë e diskutimeve në NATO veçmë një kohë të gjatë. Siç e dini, pas Bukureshtit disa herë kemi përsëritur se Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancë, pasi dy vendet, Greqia dhe Maqedonia, gjejnë zgjidhje të përbashkët për emrin. Kjo do të sjell deri te konsensuzi në NATO, që është edhe baza e Aleancës veriatlantike dhe për atë se pse është mbajtur paqeja në Evropë pas themelimit të saj, ndërsa njëheri është edhe baza që Aleanca të përparojë në të ardhmen”, tha Riker, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Maqedonia do të jetë në axhendën e NATO-samitit në maj këtë vit në Çikago, pa me këtë rast të precizohet nëse kjo do të ndodhë.
Në pyetjen nëse e respektojnë vendimin e GJND-së, pasi ende pohojnë se zgjidhja e kontestit bilateral me Greqinë është kusht për qasjen e Maqedonisë në NATO, Riker e përmendi konsenzusin si parim themelor për bartjen e vendimeve në Aleancë.
“Vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë është vendim i gjykatës ndërkombëtare. Ai është fakt. NATO – Marrëveshja veriatlantike është marrëveshje juridike vet prej vetes, e cila kërkon konsenzus që të ndërmerren shumë përgjegjësi të shejta dhe të rëndësishme të cilat dalin nga anëtarësimi. Obligimi nga anëtarësimi në NATO nënkupton se anëtaret ekzistuese, si dhe anëtaret e reja të pajtohen që të bëjnë këtë. Konsenzusi është shkak se pse NATO-ja mbeti e suksesshme dhe efikase siç është”, potencoi Riker.
Ai potencoi se NATO-ja i mban dyert e hapura dhe SHBA-ja e përkrah këtë, e përkrah edhe integrimin e Maqedonisë në NATO, që është edhe qëllimi i tyre.
Riker, i cili qëndron për vizitë dyditore në Maqedoni, sot u takua edhe me presidentin Gjorge Ivanov, me zëvendëskryeministren Teuta Arifi, ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, Nikolla Popovski dhe Fatmir Besimi. Ai u takua edhe me liderin e LSDM-së Branko Cërvenkovski, ndërsa në vijim është takimi me liderin e BDI-së Ali Ahmeti. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 21:00