Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 19:08

Prishtinë-Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë presion ndaj Serbisë që të mos i organizojë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, në mënyrë që të shmanget nevoja e përdorimit të dhunës, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

Këtë deklaratë ministri Rexhepi e ka bërë të shtunën, pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare.

Duke komentuar mundësinë e parandalimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ministri Rexhepi ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që ato zgjedhje të mos mbahen, ndërkohë që, sipas tij, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion ndaj Serbisë, e cila i ka pranuar obligimet që dalin nga marrja e statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian.

“Kjo i bie si një lloj tradhtie ( e Serbisë) ndaj obligimeve që ka marrë edhe me faktorin ndërkombëtarë. Ne insistojmë që ata ta bëjnë presionin maksimal, që institucionet tona të mos jenë të detyruara që të përdorin forcën ose dhunën. Natyrisht që, sidomos për zgjedhjet lokale, janë plotësisht të papranueshme dhe dëshirojmë që së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in t’i koordinojmë veprimet tona. Nuk do të bëjmë veprime të njëanshme, por do të donim që presioni që do të bënte faktori ndërkombëtar ndaj Serbisë, të japë rezultate dhe të mos sfidohemi në atë drejtim”, ka thënë Rexhepi.

Lidhur me situatën, të cilën ua imponon institucioneve të Kosovës organizimi eventual i zgjedhjeve serbe në Kosovë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se u takon vetë kosovarëve që të gjejnë mënyrën që të përballen me këtë situatë.

“Çdo vend e ka sovranitetin e vet dhe natyrisht që çështjet, të cilat kanë të bëjnë me problemet e brendshme të Kosovës, janë çështje që i takojnë Qeverisë së Kosovës, Parlamentit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Nuk i takojnë për t’i gjykuar administratës dhe anëtarëve të Qeverisë së Shqipërisë”, është shprehur Nishani. (REL)