Mitrovicë– Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se Qeveria e Kosovës së shpejti do të marrë një vendim për anulimin e dekretit të vitit 2008, me të cilin u është lejuar pjesëmarrja në komunikacion automjeteve me tabela të lëshuara nga MPB e Serbisë, e që mbajnë shenja të qyteteve të Kosovës. 
Ai tha se për shkak të situatës specifike në Ministrinë e Brendshme të Kosovës, nuk kanë dashur më herët që ta ndërmarrin këtë hap.
“Pas vendimit të Qeverisë do të jepet një afat prej tre muajsh për riregjistrimin e automjeteve. Automjetet, të cilat janë zhdoganuar një herë në Serbi, nuk do të zhdoganohen prapë, por shoferët do të jenë të obliguar që t’i ndërrojnë tabelat dhe t’i riregjistrojnë automjetet”, tha Rexhepi.
Ai shtoi se afërsisht nga qershori deri në shtator pritet të përfundojë procesi i riregjistrimit të automjeteve. I pyetur nëse është e mundur që tabelat të jenë pjesë e bisedimeve të ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit, Rexhepi tha se kjo çështje mund të diskutohet vetëm mbi baza të reciprocitetit.
Në qoftë se Serbia i ka aspiratat për t’iu bashkuar BE-së, atëherë ka detyrimin që të bashkëpunojë me fqinjët e saj, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes dhe këtu nuk mund të ketë diskriminim, tha ai. Rexhepi tha se nga Serbia në Kosovë mund të futen automjetet me targa të reja dhe të vjetra, gjë që nuk ndodhë me automjetet e Kosovës, sepse Beogradi zyrtar nuk i njeh regjistrimet e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Në bazë të reciprocitetit, mund të flasim për targat dhe të gjitha dokumentet e tjera”, tha ministri i Brendshëm kosovar.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, menjëherë pasi që Beogradi filloi të lëshojë shenja të reja regjistrimi, ndaloi lëvizjen nëpër Kosovë të atyre automjeteve që mbajnë shenja të qyteteve të Kosovës. Rexhepi tha se ky vendim nuk kishte të bënte me marketing parazgjedhor, por ishte një mesazh i qartë i Prishtinës drejtuar Beogradit, nëpërmjet EULEX-it, se regjistrimet me shenja të qyteteve të Kosovës nuk do të jenë të vlefshme në Kosovë.
“Ne, nëpërmjet EULEKS-it, kemi dërguar mesazhin se nuk do t’i lejojmë targat e Serbisë me shenja të qyteteve të Kosovës. Ky synim i Beogradit ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244, por edhe me pyetësorin që Serbia e mori nga përfaqësuesit e BE-së”, tha Rexhepi.
Wednesday, 07 March 2012 18:12