Lajme Shqip Saturday, 12 May 2012 20:41

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka të drejtë që kërkojë nga BE-ja të jetë e koncentruar në Kosovë, por edhe ju duhet t’i kryeni obligimet dhe angazhimet e juaja, ngase jo të gjitha i keni bërë, ka thënë të shtunën Jean-François Fitou, ambasador i Francës në Kosovë, duke reaguar kështu ndaj akuzave të mbrëmshme të kryeministrit të Kosovës ndaj Brukselit, të cilit është duke i munguar vizioni i qartë për Kosovën dhe rajonin.

Ndërsa për sa i përket planit për veriun, Fitou ka thënë se nuk pret plan të mrekullueshëm nga Qeveria e Kosovës për atë pjesë dhe se Serbia mund të ndihmojë por nuk duhet të ketë rol, pasi është Qeveria e Kosovës që duhet të fillojë dialogun me banorët e asaj pjese të Kosovës.

Ambasadori francez ka thënë se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet, dhe kjo, sipas tij, nuk është kritikë por realitet.

“Thaçi ka të drejtë në kërkesat e tij sepse BE-ja duhet të jetë e koncentruar në Kosovën dhe të punojë me Kosovën, në mënyrë që të ecim në një ardhmëri më të sigurt. Rezultat nuk vijnë shpejtë si i dëshirojmë apo si i presim dhe është e vërtetë se ekziston një mosdurim. Detyra kryesore, e ne diplomatëve që jemi në Kosovë është ta kuptojmë këtë kërkesë së Thaçit dhe ta përkthejmë këtë për shtetet tona dhe për BE-në në mënyrë që kjo e fundit të angazhohet për Kosovën”, ka thënë Fitu. (LajmeShqip.com)