Prishtinë – Rrustem Mustafa, i cili vetëm një javë më parë u dënua me katër vite burg për krime lufte nga gjykata e EULEX’it, çuditërisht i ka dalë në mbrojte misionit europian. Ai tha se e çmon punë e atij misioni, që sipas tij nuk është kundër UÇK’së, por krimeve të luftës.
Ish- Komandant Remi ka thënë se i ka lutur qytetarët që mos të dalin në ditën e gjykimit të tij e të protestojnë para gjykatës pasi e ka bindjen se askujt nuk i duhet mbrojtja jashtë organeve të drejtësisë.
Ai ka thënë se ka raste kur nuk i kupton lëvizjet dhe misionin politik të PDK’së. Megjithatë, ka thënë se ndihet mirë si anëtar i kryesisë së kësaj partie, shkruan Tribuna. Mustafa e ka pranuar se ka ndryshuar mendimin që e kishte për nevojën e krijimit të koalicionit PDK-LDK.
Tani ai konsideron se PDK’ja duhet të vazhdojë koalicionin aktual deri në zgjedhjet e ardhshme dhe tek pas zgjedhjeve të reja të bëjë plane për koalicione të reja.
Ndryshe, Një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX’it dhe të Kosovës i shpalli fajtorë të tre të pandehurit e “Grupit të Llapit” për krime të luftës kundër popullatës civile.
Të tre të pandehurit në këtë rast akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të cilët gjatë periudhës 1998/1999 ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë.
Latif Gashi u dënua me 6 vite burgim, Nazif Mehmeti me tri sosh ndërsa Rrustem Mustafa me 4 vite burgim.
Monday, 17 June 2013 09:28