Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 12:56

Ditën e sotme është shënuar edhe viktima e tretë nga virusi AH1N1, ose i njohur ndryshe në gjuhën popullore si gripi i derrit. Viktima rezulton të jetë një 71-vjeçar, i cili ndërroi jetë në QSUT. Sipas ISHP-së, Hiqmet Fekollari rezultoi pozitiv ndaj virusit AH1N1 dhe ka ndërruar jetë orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë dje, një tjetër e moshuar humbi jetën nga virusi vdekjeprurës AH1N1. 86-vjeçarja mësohet se kishte probleme me zemrën dhe me sistemin e frymëmarrjes. Ajo u shtrua ditën e shtunë në pavionin e infektivit në QSUT, ndërsa ditën e djeshme ndërroi jetë, raporton shekulli.

Ndërsa viktima e parë nga gripi i derrit, ishte një 30-vjeçare shtatzënë, me inicialet I.M., e cila vuante nga diabeti i tipit 1, Insulinovartëse dhe kishte simptoma të Nefropatisë Diabetike. 

Mjekët thonë se ky virus është i pritur të shkaktojë më shumë viktima kur personat vuajnë edhe nga sëmundje të tjera dhe që imuniteti i tyre është i dobët.

Ndërkohë ISHP-ja ka theksuar se  nga java e tretë e muajit tetor dhe deri më datën 2 mars, janë dërguar 486 mostra nga persona të dyshuar për grip. Gjithsej, 77 (16%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e gripit. 36 (47%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 41 (53%) mostrave pozitive me virusin A(H1) .