Lajme Shqip Tuesday, 04 August 2015 12:24

Regjisori Agim Sopi thotë se nuk do të marrë çmim të jashtëligjshëm. E i tillë është ai që ia ka ndarë Ministria e Kulturës për filmin “Agnus Dei”. Sopi u nderua me Çmimin Vjetor për Kinematografi për realizimin e vitit 2012, që bie ndesh me Rregulloren për ndarjen e çmimeve për kinematografi.

Ani pse Ministria e Kulturës nuk ka dalë me një vendim të prerë në lidhje me këtë rast, Rregullorja e përcakton qartë. Sipas saj, çmimi që i është ndarë Sopit javën e kaluar do të duhej t’i ndahej autorit të një vepre që është prodhim i vitit 2014.

 “Çmimi Vjetor për Kinematografi i ndahet çdo vit autorit për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik”, shkruan në pikën e parë të nenit 6 të kësaj Rregulloreje, që është në fuqi prej muajit qershor të vitit të kaluar, e cila e ka shfuqizuar atë të muajit nëntor të vitit 2012. Premiera e filmit “Agnus Dei” është dhënë më 5 nëntor të vitit 2012.

 “Nëse është ajo Rregullore ashtu, unë natyrisht që në mënyrë të paligjshme nuk e marr. Duhet ta shohim se si është hesapi”, ka thënë Agim Sopi, i cili të martën e javës së kaluar nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Vjetor për Kinematografi, dhe atij për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, me të cilin u nderua aktori veteran Xhevat Qorraj.

Sipas tij, ai fillimisht ishte propozuar për çmimin për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Por i ka shkruar këtij institucioni që ta tërheq propozimin e më pas është propozuar për çmim vjetor në kinematografi nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.

 “Logjika ime thotë se do të duhej t’i jepej çmim filmit më të suksesshëm të vitit. Nëse nuk është kështu, atëherë e kanë shkelur Rregulloren. Këto dy ditë duhet të bisedoj dhe ta shoh se si është çështja”, ka thënë regjisori i filmit, që ka marrë 44 çmime në festivale anembanë botës.

Kur gazeta kishte raportuar për këtë javën e kaluar, zyrtarët e MKRS-së kishin thënë se vendimi është punë e jurisë në përbërje të Musa Ramadanit, Lindita Zeqirajt, Bekim Lumit, Drita Krasniqit dhe Besim Rexhajt. Por tash kanë ndërruar gjërat./Koha.net/