Lajme Shqip Sunday, 18 October 2015 19:19

Radhës së politikanëve serbë të cilët kanë “përjetuar” shok pas deklaratës së Kostic në lidhje me Kosovën, i është bashkuar edhe presidenti serb, Tomislav Nikolic.

Ai ka thënë se është i habitur me deklaratën e Presidentit të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë, në lidhje me “humbjen e Kosovës”.

“Serbia nuk ka bërë ende ndonjë hap që do të mund t’i kontribuonte idesë se pavarësia e vetë-shpallur është realitet”, thuhet në deklaratën e Nikolicit.

Ai, e ka “qortuar” Kosticin duke i thënë se “nuk mund të flasë për Kosovën në mënyrë individuale” pasiqë “Kosova nuk është pronë e tij”.

“Si mundet që ai ose dikush tjetër të japë diçka që nuk është e tij. Kosova nuk është e jotja e as e ndonjë individi tjetër. Kosova i takon paraardhësve dhe pasardhësve tonë”, thuhet veç tjerash në reagimin e Nikolic.

Këtë reagim, Nikolic e bën pas deklarateve të Kosic në lidhje me Kosovën, ku mes tjerash thuhej:

“Për disa njerëz, duhet të thuhet se Kosova nuk është më në duart tona, as de fakto e as de juro. Druaj se në këto momente, menquria e vetme politike është si të heqim dorë nga Kosova me dinjitet. Kjo duhet të thuhet për disa njerëz. Kosova nënkupton një pjesë të madhe të bazës kulturore serbe për të cilën duhet të luftojmë dhëmb me dhëmbë, mirëpo gjërat janë të qarta. Ne mund ta gënjejmë veten, por është e qartë se Kosova nuk është më në duart e Serbisë”.