Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 13:45

Tiranë – Ndërtimi i aksit të ri rrugor Tiranë – Elbasan është prioriteti i qeverisë shqiptare, i cili do të financohet kryesisht nga donatorë të huaj dhe Fondi i Abu Dhabi-t është një nga financuesit e këtij segmenti, me një shumë prej 50 milionë dollarë.

Për këtë, Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan”.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan synon të rrisë në mënyrë efikase zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajonet e Shqipërisë qendrore, jugore dhe më gjerë, në të gjithë zonën juglindore të vendit.

Rruga synon të lehtësojë dhe përmirësojë, gjithashtu, lëvizjen e trafikut dhe veçanërisht trafikut të rëndë në segmentin rrugor Tiranë – Elbasan, që është pjesë e Boshtit të Jugut, duke përmbushur kështu kërkesat e trafikut në këtë aks rrugor dhe përputhjen me kërkesat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.