Tetovë – Ish-komandanti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, është shpallur sot Qytetar Nderi i Tetovës.Ceremonia është zhvilluar përpara objektit të Komunës së Tetovës, në prani të qindra mbështetësve të PDSH-së, të cilët kanë brohoritur emrin e tij dhe kanë valëvitur flamujt kombëtarë dhe të Kosovës, transmeton Zhurnal.
Haradinaj ka thënë në fjalën e tij se në Tetovë ndjehet si në shtëpinë e tij.
“Këtu ndjehem sikur atje ku kam lindur. Tetova është historia jonë dhe është shumë mirë të shkohet përpara, përveçse të jetohet lehtë dhe qetë. Ky respekt nuk është vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Ju premtoj se nuk do t’ju zhgënjej”, ka deklaruar Haradinaj.
Paraprakisht, Haradinaj ka takuar kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, me të cilin bashkërisht kanë bërë homazhe pranë varrit të Arbën Xhaferrit.
Ndryshe, protesta e cila u paralajmërua nga partia “Dinjiteti” u anulua sot. Megjithatë, në Tetovë është vërejtur prania e shtuar e forcave policore, si gatishmëri për të evituar ekseset eventuale.(LajmeShqip.com)
Monday, 04 February 2013 17:32