Lajme Shqip Sunday, 16 March 2014 16:45

Kryeministri Edi Rama është takuar me drejtorët e përgjithshëm të disa institucioneve në qytetin Vlorës. Rama ndodhet në qytetin bregdetar që prej ditës së djeshme dhe gjithashtu sot pritet të zhvillojë edhe një takim me strukturat e PS-së. Takimi i Ramës me strukturat e PS-së po zhvillohet në hotel “Partner”, aty ku një ditë më parë Rama mblodhi në një takim informal ministrat e kabinetit qeveritar.  

Gjatë ditës pritet që kryeministri të vizitojë edhe një biznes fason në qytetin e Vlorës. Kabineti qeveritar udhëtoi drejt jugut për të bërë analizën e 6-mujorit të qeverisjes dhe të realizimit të prioriteteve. Mbledhja ka vijuar deri pas mesnate.

Mësohet se në fokus të këtij takimi informal të ketë qenë vendosja e rendit dhe krimit të policisë te qytetari, ku kreu i qeverisë shprehu vlerësime për përkushtimin e uniformave blu në luftën ndaj krimit, duke e lidhur këtë me sukseset më të fundit të policisë që solli arrestimin e vrasësve me pagesë dhe porositësve të atentateve me tritol. Por nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe aksioni i arrestimeve më të fundit të rekrutuesve dhe financuesve të “xhihadit” për të dërguar shqiptarët të luftojnë në Siri, duke shkatërruar celulat që ishin ngritur në vendin tonë.  

Pjesë e analizës së gjashtëmujorit qeverisës janë bërë dhe aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje, reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi, situata ekonomike dhe pesha e borxheve të lëna nga qeverisja e Berishës. Është analizuar gjithashtu, mundësia e ringritjes së vendit dhe plotësimi i detyrave të lëna nga ana e Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor të këtij viti.