Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një dalje publike ka deklaruar se opozita është pro ndryshimit të Kushtetutës dhe jo vetëm për heqjen e imunitetit, sepse vetëm ky ndryshim në Kushtetutë nuk e zhduk korrupsionin, i cili varet nga pushteti politik.
“Nisma jonë fillon nga kufizimi i imunitetit por nuk kufizohet vetëm me çështjen e imunitetit. Ne besojmë që ndërhyrja në kushtetutë nuk lidhet vetëm tek çështja e imunitetit, sepse muri që mbron të korruptuarit nuk është imuniteti, por pushtet politik që e ka kapur dhe po e mbyt drejtësinë.
Është koha për një debat shumë serioz dhe për një ndërhyrje serioze në Kushtetutë. Kufizimi i imunitetit është vetëm një pikënisje, por jo një pikë mbërritje. Zgjedhja e një presidenti të njëanshëm na bën të besojmë që drejtësia shqiptare mund të degradojë edhe më keq”, theksoi Rama.
Sipas Ramës, kushtetua ka nevojë për një rishikim në funksion të reformimit të sistemi të drejtësisë, ndërsa i bëri thirrje maxhorancës të ndalë sulmet ndaj opozitës për heqjen e imunitetit sepse e gjithë nisma e PS-së është në të mirë të vendit dhe në funksion të demokracisë.
“Si kreu i PS-së lejomëni ta ndaj me ju neverinë për gjithë propagandën e shfrenuar të qeverisë ndaj opozitës se ne e kemi problem të heqim imunitetin dhe duam të bllokojmë statusin. Kjo është një këngë e vjetër por shqiptarët dhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë për atë çfarë ka bërë opozita për një vit politik, të qasjes konstruktive të saj dhe të përpjekjeve tona për të sjellë në gjendjen normale të drafteve skandaloze të qeverisë për ligjet me 3/5.
Edhe shqiptarët edhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë të përpjekjeve tona për të mbyllur reformën zgjedhore pa vënë veton për çdo gjë që nuk na pëlqen, rrezikuam edhe marrëdhëniet me aleatët tanë duke pranuar një reformë që nuk e preku sistemin aktual zgjedhor”, u shpreh Rama. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 17:31