Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 13:48

Tiranë – Kryetari i PS-së Edi Rama gjatë një konference për mediat ka sqaruar mosvotimin një ditë më parë të ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend pasi tha opozita ka kushtet e veta për të bashkëpunar.

Së pari Rama sqaroi se ka nisur puna për hartimin e reformës zgjedhore pasi dy të mandatuarit e opozitës po dialogojnë me 2 përfaqësuesit e mazhorancës për vendosjen e piketave të reformës.

“Ne kemi vepruar të parët sepse neve na intereson integrimi i kombëtar. Përshpejtimi i procesit të të integrimit në interesin tonë edhe për faktin se mazhoranca qeverisëse do të ishte në një lupë më të madhe për paudhësitë e saj” është shprehur Rama. Ai shtoi më tej se “votën në kuvend ne do ta japim vetëm kur ajo ç’ka ofrohet, të përputhet me vizionin tonë europian. Ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standardet e BE-së. Votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar nuk është detyrimi jonë për të votuar por detyrimi i mazhorancës”.

Për këtë arsye Edi Rama ka propozuar një pakt kombëtar me 10 pika të quajtur “Një pakt për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ja 10 kërkesat e Edi Ramës….

1. Të votojmë konsensualisht rregullat e bashkëjetesës në parlament

2. Të ngremë një komision për të miratuar reformën institucionale të parlamentit me asistencën e OSBE

3. Të vendosim me marrëveshje përfundimin e reformës zgjedhore të brenda marsit 2012 duke rënë dakord që çdo propozim i PS në përputhje me standardet të BE do të votohet unanimisht

4. Të adresojmë një proces për zgjedhjen e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë si njohje e të drejtës së opozitës për të propozuar 3 nga 9 anëtarët e këshillit dhe zgjedhjen konsensualisht të guvernatorit të ri

5. Të zgjedhim konsensualisht, kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit

6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit (kandidati nuk duhet të jetë anëtar në asnjë prej partive politike)

7. Të ngarkojmë komisionin  e ligjeve që brenda këtij sesioni të legjislaturës, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstitucionalistësh dhe ekspertë të BE, çdo cështje që kërkon miratimin me shumicë të cilësuar. Mbi këtë bazë japim dakordësinë për të votuar çdo ligj dhe bashkëveprim për çdo ligj dhe me moton se qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësi për integrimin e Shqipërisë

8. Të biem dakord se kufizimi i imunitetit nuk mund të jetë ekskluzivitet i dy partive të mëdha. Të ngrihet një komision për rishikimin e drafit të propozuar nga mazhoranca

9. Të nisë hetimi për zbardhjen ne plotë të 21 janarit dhe të hartojmë një pakt për mos sulmimin e punës së prokurores së përgjithshme dhe të mos i jepet mbrojtje politike askujt që përfshihet ne hetim. PS do t’i bashkangjisë kësaj kërkese edhe hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindit dhe kryekomunarit Fatmir Veseli, që bllokohen nga policia. Të thërrasë prokuroria të gjithë personat parlamentar që kanë rezultuar me apo pa të drejtë me botën krimit nën dritën e kabllogrameve të Wikileaks

10. Të balancojmë me konsensus bordin e Televizionit Publik Shqiptar për t’i dhënë mundësi atij ekrani të japë informacion të balancuar për shqiptarët që e paguajnë atë

Rama deklaroi se “Nëse pala tjetër e dëshiron këtë pakt ne jemi gati të bashkëpunojmë me mazhorancën për integrimin europian. Ne jemi gati t’a nënshkruajmë këtë pakt që nesër dhe marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për mosmarrjen e statusit vitin e shkuar dhe synimin për të marrë statusin këtë vit.  Qëllimi është që Shqipëria të mos dështojë në 12 tetor. 12 prioritetet e BE-së, duhet thënë se shumica e tyre janë përgjegjësi e qeverisë.