Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të komunës së Pezës, Artur Pezën.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Rama tha se Peza është një vend i shenjtë dhe një referencë e çmuar e historisë sonë kombëtare dhe për këtë arsye LSI ka propozuar Artur Pezën, që përfaqëson më së miri emrin e kësaj komune. Rama i ftoi të gjithë banorët e Pezës që më datën 8 maj të votojnë Artur Pezën, “Aleancën për Qytetarin” dhe të votojnë LSI-në që “më datën 9 maj të festohet në Pezë fitorja e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit”.
Duke folur për rivalët e PS-së, Luan Rama theksoi se PS-ja ka ikur nga ndjenjat e solidaritetit dhe humanizmit që formësojnë një të majtë moderne evropiane. “Prandaj, në zgjedhjet e 8 majit në Pezë kandidojnë kandidatë të majtë, që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe nga ana tjetër janë të majtët e vlerave qytetare, që përfaqëson LSI-ja”, tha Luan Rama.
Sipas tij, bashkë edhe me drejtuesit e PD-së do të kthehen në Pezë brenda 10 ditëve të para pas datës 8 maj për t’i njohur banorët e kësaj komune me projektin e parë që do të fillojë nga puna me rikonstruktimin dhe ndërtimin, sipas parametrave bashkëkohorë, të rrugës që lidh Pezën me Tiranën. “Do të mjaftonte vetëm gjendja e rrugës nga lapidari deri këtu, që është një segment që lidh dy simbole të së njëjtës histori të lavdishme të Pezës, për të kuptuar se përse nuk duhet votuar më kandidati i PS-së. PS ka 15 vjet që drejton në Pezë dhe akoma rruga ka asfaltin e shtruar që kur ishte Babë Myslymi gjallë. Prandaj duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk punojnë për komunitetin, duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk janë lidhur me Pezën, që nuk punojnë për Pezën, që nuk mendojnë për Pezën, që nuk mendojnë për banorët e Pezës”, deklaroi Luan Rama.
Monday, 25 April 2011 11:32