Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 16:35

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi të premten pas deklaratave të sotme të Kryeministrit Sali Berisha, që akuzoi kreun e opozitës se “ka qenë kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit”.

“U informova për ç’ka Berisha ka shprehur sot në prani të studentëve nga Kosova. E kam sfiduar dhe e risfidoj të provojë, me një dokument të vetëm që unë apo cilido nga përfaqësuesit e PS-së të jetë shprehur kundër Rrugës së Kombit, si projekt”,  u shpreh Rama për mediat, pas mbledhjes së kryesisë së re të PS-së.

Sipas tij, “me Rrugën e Kombit është bërë një biznes fitimprurës, duke grabitur fondet e atyre taksapaguesve shqiptarë që kanë kontribuar gjithë së bashku për ndërtimin e asaj rruge”.

Në këtë kuadër ai tha se mbledhja e sotme e kryesisë “më krijoi bindjen për disponimin e të gjithë anëtarëve të saj për t’u vënë në dispozicion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme”.

Gjithashtu, në prononcimin e shkurtër për mediat Rama shprehu vullnetin e plotë të PS-së “për të dëgjuar dhe për t’u dakortësuar me të gjitha partitë e vogla të interesuara për ndryshimin e sistemit zgjedhor”.