Librazhd-Të rinjtë e këtij qyteti kanë bërë “REFRESSH” dhe bashkë me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, janë angazhuar të bëhen pjesë e ndryshimit që opozita shqiptare kërkon të sjellë në vend.
Ky është mesazhi që përcollen 350 të rinj nga Librazhdi duke marrë teserën e anëtarësimit në Partinë Socialiste. Pas shpalosjes së ngjyrave kuq e zi të flamurit shqiptar, lideri i opozitës, cilësoi si jetike kontributin individual të çdo qytetari për të sjellë ndryshimin e qeverisjes së vendit.
“Të jeni të sigurt se nëse secili nuk bën luftën e tij sot që kjo të ndryshojë, nesër gjërat do të vazhdojnë po kështu. Dhe nëse kanë kaluar 22 vjet nga dita kur Shqipëria u çlirua prej kthetrave të diktaturës dhe mbetet peng i kthetrave të një të keqeje të madhe që i merr frymën çdo ditë, mund të kalojnë edhe 22 vjet të tjerë nëse njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nuk i thonë ndal kësaj të keqeje dhe nuk marrin në dorë fatin e këtij vendi siç keni vendosur ta merrni ju në dorë sot duke u bërë anëtarë të Partisë Socialiste”,
Ajo që ka rëndësi themelore për kreun e opozitës është bashkimi i të gjithë shoqërisë për të refuzuar me votë atë që Rama e cilëson si padrejtësi sociale, kur krahason 2 alternativat për programin e taksave në vend. “Nuk është e mundur që një infermiere të paguajë më shumë se doktori kryeministër. Nuk është e mundur që një polic i thjeshtë të paguajë më shumë taksa se Ministri i Brendshëm. Nuk është e mundur që njerëzit e zakonshëm të paguajnë më shumë taksa se deputetët apo korporatat e mëdha që fitojnë miliona në muaj.”
Por çfarë do të ndryshojë nëse shoqëria bindet se alternativa e socialistëve është më e mirë për vendin? Edi Rama u dha këtë përgjigje të rinjve të Librazhdit: “Për këtë ne do të luftojmë së bashku jo për të sjellë në pushtet disa njerëz në vend të njerëzve të tjerë, por për të vënë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në dispozicion të çdo qytetari dhe për të vendosur frymën e drejtësisë sociale mes gjithë shqiptarëve, ku kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak duhet të paguajë më pak.” (TCH)
Sunday, 01 April 2012 16:27