Tiranë- Kryeministri, Edi Rama organizoi dje një drekë pune me deputetët e grupit parlamentar socialist për “të raportuar” lidhur me emërimet e para të bëra nga qeveria si edhe situatën financiare në të cilën ndodhet vendi. Takimi, që ka zgjatur për rreth 3 orë është zhvilluar larg kryeqyteti, në një prej restoranteve luksozë në Linzë të komunës së Dajtit, ku kryeministri Rama bashkë me ministrat e tij kanë diskutuar me deputetët për nevojën e mbështetjes në Kuvend të nismave të qeverisë.
Burime nga takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura pohuan për “Gazeta Shqiptare” se gjatë kësaj dreke pune, deputetët u kanë kërkuar ministrave që të përfundojnë sa më shpejt emërimet me argumentin e presioneve që po ushtrohen ndaj tyre nga militantët për t’u punësuar në administratën publike. Po sipas burimeve mësohet se kryeministri Rama u ka rikujtuar deputetëve situatën e rëndë ekonomike që sipas tij ka lënë pas qeveria “Berisha” duke theksuar disa herë pretendimin se “e kemi gjetur pothuajse bosh arkën e shtetit”.
Në këtë drekë pune është folur edhe mbi një sondazh të realizuar së fundimi nga strukturat e Partisë Socialiste nga ku ka rezultuar, gjithmonë sipas burimeve, se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin tani, mazhoranca aktuale qeverisëse do të votohej sërish nga shqiptarët në masën 56 përqind.
Sunday, 06 October 2013 10:00