Lajme Shqip Sunday, 18 December 2011 10:00

Tiranë- Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama në editorialin e tij të radhës me titull “Një pyetje dhe një përfundim”, komenton zhvillimet më të fundit në qarqet e së majtës.

Kreu i opozitës replikon me ish presidentin Rexhep Meidani në lidhje me ribashkimin e të majtës dhe mundësinë e ardhjes së saj në pushtet.

“Pa LSI-në PS-ja nuk vjen dot në pushtet” dhe duke shtuar “Edi Rama s’e bën dot këtë bashkim”. Ai nuk është i vetmi që çelësin magjik të fitores sonë e gjen në xhepin e Ilir Metës, por në këtë rast, megjithë përpjekjet vetmevete, unë s’e gjej dot çfarë justifikimi moral do të kishte ky bashkimpazar i ri përveç gjakimit për pushtet dhe çfarë do të sillte apo bënte ndryshe paskëtaj, një pushtet i tillë për shtetndërtimin e Shqipërisë Europiane e për shqiptarët e mbetur sot peng të një bashkimpazari të vjetër(?). Eshtë një pyetje që me plot të drejtë mundon shumëkënd. E kjo pyetje, më shumë se sa kujtdo tjetër që mund të nxitet së brendshmi edhe prej dëshirës për pushtet dhe i bie këmbanës së këtij bashkimi fort të dyshimtë, vlen t’i bëhet Presidentit Meidani”,-shkruan në editorialin e tij Rama.

Rama vijon duke theksuar se si kryetari ‘opozitës së vjedhur’ do të vijojë të mirpresë kritikat e Meidanit, por ndërkohë pret më shumë kontribut për cështje shqetësuese.

“Ndërsa si kryetar i kësaj opozite të vjedhur e të vrarë, do të vazhdoj të mirëpres kritikat e Presidentit të vetëm socialist të këtyre njëzet vjetëve, por do të prisja sigurisht më shumë kontribut kundër varfërisë së aspiratave, në kushtet kur vendi po rrëshqet përditë në një tirani tribale, dhe shembujt inkurajues për njerëzit e trembur nga varfëria materiale nuk është se janë të shumtë”,- nënvizon Rama. (BW)