Lajme Shqip Sunday, 30 October 2011 14:48

Tiranë – Partia Socialiste, ka reaguar pas deklaratës së deputetëve të Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e zhvilluar tëpremten për reformën në drejtësi.

“Rama shpreh keqardhjen për reagimin brutal të deputetëve të PD në Komisionin e Ligjeve, lidhur me tryezën publike të organizuar shkëlqyeshëm nga kolegët e tyre socialist mbi drejtësinë në sfidën e integrimit”, thuhet në reagimin e PS-së.

“Nëse mungesa e palës së tyre në atë tryezë ishte e pajustifikuar, ky reagim është i pajustifikueshëm”, vijon njoftimi .

“Megjithatë Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mospërsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë’, thuhet në njoftim.

Sipas PS-së, “se kush e ka përgjegjësinë kryesore për dy dështimet rresht këtë e thotë qartë Progres Raporti dhe e shpjegoi me një elokuencë të admirueshme Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës vetëm pak ditë më parë”.

“Por”, vijon reagimi i PS-së, “ne nuk duam të humbasim energji e kohë me fajësime dhe as të biem në batakun e sharjeve ku llokoçitet përditë politika e qeverisë. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kemi ofruar një pakt dhe s’do rreshtim së ofruari ide europianizuese dhe përkushtim patriotik. Shqiptarët le të bëjnë dallimin”.

“Ky është rasti për t’i falënderuar të gjithë kontributorët e nderuar të Tryezës dhe të gjithë partnerët e miqtë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën pa asnjë përjashtim ftesës së deputetëve tanë të Komisionit të Ligjeve për të qenë të pranishëm. Së shpejti ne do të publikojmë Raportin e Tryezës me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve”, përfundon reagimi i Partisë Socialiste.