Lajme Shqip Wednesday, 28 December 2011 21:15

Kryetari i opozitës, Edi Rama i është kundërpërgjigjur kryeministrit Berisha për 21 janarin duke i thënë se shteti ligjor do të funksionojë vetëm kur të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit dhe urdhëruesit e tyre.

Komenti i Ramës erdhi në Twitter vetëm disa minuta pasi Berisha përfundoi konferencën e tij të shtypit, gjatë së cilës tha se 21 janari ishte një problem që u përballua nga shteti ligjor.

“Shteti kushtetues e ligjor do funksionojë kur të dalin para drejtësisë e të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit, kush dha urdhër e kush qëlloi!”, shkruan Rama në rrjetin social, duke i kujtuar qëndrimin e opozitës ndaj kësaj ngjarjeje ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës nga plumbat e ushtarëve të Gardës që gjuanin nga oborri i kryeministrisë.

Në një mesazh të dytë Rama akuzon sërish Berishën se është dora vrasëse e atyre protestuesve dhe shton se ka ardhur koha për një rilindje kombëtare.

“Vrau në bulevard, vodhi ditën për diell, gënjen edhe kur fle e i këndon një Shqipërie që s’ka lekë, s’ka punë, as drejtesi! Koha për rilindje”, thotë Rama duke komentuar mbi konferencën e kryeministrit dhënë sot pasdite.