Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot në një bashkëbisedim me gazetarët, se pret drejtësi nga Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria.
Ai tha se PS ka publikuar fakte, shifra e konkluzione të mbështetura mbi tabelat që kanë dalë prej KQZ-së, të cilat flasin për vjedhje të votave
“Ankesa për çfarë ka ndodhur e çfarë po vazhdon të ndodhë në KQZ po merr përmasë ndërkombëtare. Nuk ka mbetur jo vetëm qytetar i ndershëm i këtij vendi, por edhe mik e partner i këtij vendi, pa ngritur zërin për aktin e paligjshëm të KQZ”, tha Rama.
Rama theksoi se tashmë i takon Prokurorisë të zbardhë këtë çështje.
“Ne e kemi bërë publik faktin se i jemi drejtuar Prokurorisë, duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ, por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel gjithë çka ka ndodhur, duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës, me qëllim përmbysjen e fitores në tavolinë dhe grabitjes së mandatit të Tiranës”, theksoi Rama.
Kryesocialisti Edi Rama deklaroi se “vendimi i Kolegjit nuk është thjesht një domosdoshmëri për të legjitimuar një rezultat që e panë të gjithë, por edhe për të mos rritur koston për vendin dhe njerëzit”.
Rama theksoi se opozita do të mirëpresë kontributin e Komisionit të Venecias dhe çdo kontribut tjetër për të ndalur produktin e deformuar të atij që ai e quajti kanibalizëm elektoral.
Tuesday, 31 May 2011 14:44