Lajme Shqip Monday, 09 December 2013 12:47

Kujtimet për Lëvizjet e Dhjetorit ’90 bashkuan dje, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Të dy ishin të ftuar në aktivitetin e organizuar nga Lëvizja Studentore Dhjetori ’90, në Hotel Tirana. Në fund të aktivitetit Rama ftoi për një kafe Idrizin, ndërkohë që asgjë nuk u bë publike nga biseda e tij kokë më kokë, në barin e katit të tretë të hotelit. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” lidhur me temën e bisedës, kreu i PDIU-së nuk preferoi të jepte asnjë koment. Në aktivitetin e organizuar me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, u panë qartë tonet e zbutura të Idrizit, kur i doli përkrah Ramës ndërsa deputetja demokrate Mesila Doda i kërkoi distancimin nga figura e Enver Hoxhës. 

Deputetja e PD-së, Mesila Doda iu drejtua aty për aty kryeministrit Rama, pas shfaqjes së fotove të Enver Hoxhës, ditën e homazheve, në 29 Nëntor. “Do t’i kërkoja kryeministrit që të bënte një distancim publik sot, meqë sot është me studentë të Dhjetorit, – nga ai moment që kaloi thuajse në heshtje nga ana e institucioneve zyrtare”, – u shpreh Mesila Doda. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Rama iu përgjigj që në fillim të fjalës së tij përshëndetëse: “Për Enverin e vdekur kemi qenë me Mesilën dakord qysh atëherë; aty ku jemi ndarë gjithë këto vite është tek Enveri gjallë”. Ndërsa më pas, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në vijim të këtij diskutimi tha: “Besoj të gjithë e mbajmë mend se një nga thirrjet e para kundër Enver Hoxhës, ndryshe edhe nga ata që trashëguan pikërisht Lëvizjen më të pastër pluraliste të Dhjetorit, ishte thirrja e Edi Ramës tek stadiumi ‘Qemal Stafa’, që ‘ky regjim na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë’”. 

Të tre politikanët kanë trokitur gotat, në fund të fjalimeve, duke lënë pas kundërshtitë e ditës. I prezantuar për të pranishmit si një ish-protagonist, pedagogu i Arteve që sot është kryeministër, pjesëmarrës në fillesën e betejave për Shqipërinë evropiane, Rama tha se, ndonëse kanë kaluar 23 vjet, ëndrrat dhe përpjekjet e “dhjetorit historik” mbeten gjithnjë “burim i një jehone të fuqishme, për të vënë në lëvizje forcat transformuese të shoqërisë sonë”. 

Duke përcjellë mesazhin e bashkëpunimit për të jetësuar këtë ëndërr të madhe për shqiptarët, pavarësisht kahjeve politike, kryeministri u shpreh se: “Është e sigurt që kemi akoma shumë beteja për të bërë e fituar bashkërisht. Jo domosdoshmërisht duke qenë bashkë në të njëjtën korsi, por duke qenë bashkë në të njëjtën rrugë me shumë korsi.” “Ju falënderoj që krijuat, ndoshta pa dashje, një mundësi shumë të veçantë për të pasur njëri pas tjetrit këtu në podium, dy protagonistë, që janë nisur nga e njëjta korsi dhe sot janë në të njëjtën rrugë, edhe pse në dy korsi të ndryshme; unë majtas dhe Mesila djathtas. Por që, ju na dhatë mundësinë të dëshmojmë se kur korsia e majtë dhe e djathtë janë pjesë e së njëjtës rrugë dhe gara bëhet kush ecën më shpejt në korsinë e vet dhe jo kush i bllokon korsinë tjetrit, gjithmonë ka më shumë sesa një arsye për të shpresuar, ka më shumë sesa një arsye për të besuar, ka më shumë sesa një arsye për të pasur bindjen se në të gjitha rastet, pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër, bën që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët”, – përfundoi fjalën Rama. 

BATUTAT RAMA-DODA-IDRIZI 

MESILA DODA: Ishte një vizion antikomunist, sepse gjithë lëvizja në thelb kishte kulturën anti-komuniste. Shpesh shfaqet një kulturë e ndryshme, kemi momente kur dikush kërkon të japë shenja të një regresi, siç ishte edhe shembulli i pak ditëve më parë, kur portreti i atij diktatori që ne rrëzuam 22 vjet më parë u shfaq frikshëm në një ceremoni zyrtare. Do t’i kërkoja kryeministrit që të bënte një distancim publik sot, meqë sot është me studentë të Dhjetorit, – nga ai moment që kaloi thuajse në heshtje nga ana e institucioneve zyrtare. 
EDI RAMA: Për Enverin e vdekur kemi qenë me Mesilën dakord qysh atëherë; aty ku jemi ndarë me Mesilën është tek Enveri i gjallë. 
SHPËTIM IDRIZI: Besoj të gjithë e mbajmë mend se një nga thirrjet e para kundër Enver Hoxhës, ndryshe edhe nga ata që trashëguan pikërisht Lëvizjen më të pastër pluraliste të Dhjetorit, ishte thirrja e Edi Ramës tek stadiumi ‘Qemal Stafa’, që ‘ky regjim na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë’. Mesila meqë është bërë sot si Julia Timoshenko, të marrë shembull prej asaj që ajo ka bërë.