Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 23:00

Në fjalën e tij në Samitin e Vjenës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se takimet me Vuçiqin nuk përbëjnë më histori, pasi janë takuar disa herë.

“Kemi ecur përpara për të qenë bashkë me Vuçiqin, dhe takimet tona tani shihen me qëllime të mira. Ne takohemi me shoqërinë civile. Nuk është e nevojshme të themi çfarë kemi bërë deri më tani në vendet tona, por të bashkohemi për të garantuar stabilitet në rajon, ndryshe nuk mund të bëjmë asgjë”, tha Rama.

Duke u ndalur tek reformat që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, Rama tha se reforma në arsim është më e rëndësishmja.

“Kemi qenë një nga vendet më numrin më të madh të juristëve në botë për banorë, ose që merrnin diplomën duke pranuar dhe pa e ndjekur realisht shkollën. Tani janë marrë masa që këto gjëra të mos ndodhin më”, tha Rama. “Ne duhet t’i themi të rinjve që nuk duhet të shkoni jashtë shtetit pa patur një profesion, nëse kanë një profesion do të kenë mundësinë të zgjedhin se ku duan të punojnë”.

Rama tha se do të kualifikojë punonjësit, në mënyrë që të kenë mundësinë që të shkojnë në vende të tjera për të punuar, si për shembull Gjermaninë.

“Në aspektin e azilkërkuesve, ne jemi një valë e vogël e Ballkanit, në krahasim me vendet e tjera”, tha ai.

Në fund, kryeministri i Shqipërisë tha se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Evropa.

“Ne duhet të ecim përpara dhe të hapim negociatat, dhe kështu t’u tregojmë të gjithëve se ndodhemi në Evropë. Evropa ka rregulla, dhe ne luajmë me rregullat në mënyrën e duhur, por nuk mund të vazhdojmë të jemi akoma të izoluar”, u shpreh Rama.