Tiranë – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama shprehu sot nevojën për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
E pranishme në konferencen, organizuar sot lidhur me propozimet e bëra nga Projekti PACA dhe Euralius per imunitetin e zyrtareve, kryeprokuroja Rama tha se, “Prokuroria Shqiptare është një nga institucionet që në mënyrë të vazhdueshme tre-katër vitet e fundit, ka paraqitur në takime zyrtare, nevojën e ndryshimeve ligjore në lidhje me të drejtën e disa zyrtarëve të lartë dhe gjyqtareve për të patur mbrojte të veçantë nga ndjekja penale, mbrojtje që shkon praktikisht deri në pamundësi për organet e hetimit për të mbledhur prova në ngarkim të zyrtarëve që gëzojnë imunitet nga ndjekja penale”.
Duke iu referuar materialit te përgatitur nga ekspertët, Kryeprokurorja Rama tha se, “me kënaqësi konstatoj se dy materialet e pregatitura nga ekspertët e PACA dhe të EURALIUS kanë arritur në konkluzione të drejta dhe realiste per sa i perket situates aktuale ligjore në vendin tone ne lidhje me konceptin të imunitetit nga ndjekja penale të funksionarëve të lartë dhe të gjyqtarëve të gjitha shkallëve dhe në lidhje me nevojën për ta ndryshuar këtë situatë, si dhe mbi mënyrën se si duhet ndryshuar”.
“Të dy materialet e paraqitura arrijnë në të njëjtin konkluzion se, imuniteti që gëzojnë kjo kategori e caktuar e zyrtarëve të lartë dhe gjyqëtarët, është i panevojshëm, është pengues për hetimin e rasteve të korrupsionit ndaj tyre, dhe se është e domosdoshme të bëhen ndryshime kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e tij. Mendoj se kemi arritur në momentin që të tejkalojmë diskutimet nëse është i nevojshem kufizimi i imuniteteve, por te kalojme ne diskutimin mbi mënyrat konkrete se si duhen realizuar këto ndryshime”, theksoi kryeprokuroja Rama.
Kryeprokurorja Rama vlersoj të drejtë propozimin për të bërë ndryshime në Kushtetutë për shfuqizimin imunitetit të Anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të Avokatit të Popullit, të Anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjithashtu, ajo vlersoj të drejtë dhe të bazuar propozimin për shfuqizimin e mbrojtjes së deputetëve nga ndjekja penale, duke pranuar idenë e një imuniteti të kufizuar, i cili jep garanci në lidhje me mosndjekjen penalisht per fjalën që thonë dhe vendimet që marrin për shkak të detyrës si deputetë, por gjithashtu jep garanci në raport me arrestin dhe kontrollin personal te tyre.
Tuesday, 18 October 2011 19:15