Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ende i pashpallur zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të 8 majit për Bashkinë e Tiranës, ka ftuar kundërshtarët e tij që të pranojnë rezultatin, ashtu siç ata i kërkuan që nga fillimi të njëjtën gjë atij.
Rama foli me një gjuhë tejet të zbutur politike, madje bëri thirrje për refleksion e deri për bashkëpunim në shërbim të shqiptarëve dhe përmirësimin e sistemit zgjedhor që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje të kontestuara.
Rama foli për herë të parë pas dy vjetësh edhe për jetën politike në parlament etj.
“8 maji u provua si dita e shprehjes së vullnetit të një numri qytetarësh që asnjëherë më parë s’kishin marrë pjesë në një numër kaq të madh në një zgjedhje vendore. Sepse zgjedhjet e 8 majit kishin një përmbajtje të qartë politike dhe përveç zgjedhjes të përfaqësuesve vendorë qytetarët u angazhuan në përcaktimin e një drejtimi për vetë politikën. Ne i fituam këto zgjedhje pas një beteje thellësisht të pabarabartë ku fuqia e popullit u provua të ishte më e madhe se stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, medias pro qeveritare dhe një sistemi të tërë të deformimesh të votës. Kjo fitore është për ne një fitore historike, e cila pikërisht sepse është e jashtëzakonshme duhet të na shërbejë jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si burim reflektimi për mënyrën sesi do ta përshkojmë rrugën e hapur të së ardhmes”, deklaroi Rama.
Kur Rama kërkoi bashkëpunim politik, premtoi edhe se “se në këtë mandat të fortë ne do ta përdorim me të gjithë forcën e pasionit tonë politik për të përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm pa dallim, duke kërkuar në radhë të parë nga vetja e pastaj nga kundërshtarët një cilësi të re të politikbërjes. Ne do të punojmë me mish e me shpirt që asnjë votues i yni të mos zhgënjehet dhe asnjë qytetar që nuk na ka votuar të mos braktiset. Për ne s’ka qytetarë rozë e qytetarë blu, por ka vetëm qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre kushtetuese ligjore, shoqërore. Si dhe një angazhim i patjetërsueshëm, prioritar, i politikës së Partisë Socialiste në parlament, në këshillat vendorë dhe kudo ku do debatohet për jetën e njerëzve të zakonshëm”-ka shtuar më tej lideri socialist”.
Së fundmi, duke pranuar nevojën e një ligji të ri zgjedhor, Rama deklaroi: “Qytetarët e thanë fjalën e tyre, Shqipëria nuk ka minuta dhe as shanse të tjera për të humbur. Çfarë ka shkuar në këtë proces zgjedhor mbetet objekt debati e reflektimi për secilin. Tanimë jemi gati të ofrojmë pa asnjë rezervë kontributin tonë për ta kthyer këtë faqe të shëmtuar, përmes një reforme të thellë që do të garantojë zgjedhje përfundimisht të lira dhe të ndershme. Fitorja e zgjedhjeve aq më tepër një fitore e madhe si kjo e jona në 8 maj, duhet kuptuat vetëm si një shumëfishim përgjegjësish dhe angazhimesh”.
Monday, 16 May 2011 20:34