Lajme Shqip Sunday, 25 December 2011 16:28

Korçë-Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, këtë vit zgjodhi qytetin e Korçës për të bërë urimin në ditën e Krishtlindjeve për të gjithë shqiptarët.

Pas takimit me Metropolitin e Korçës, imzot Johanin, në Kishën Ortodokse të Mitropolisë së Shenjtë, Rama tha se “është kënaqësi e posaçme që Krishtlindjet t’i kalosh në Korçë, në këtë atmosferë magjike dëbore dhe zbukurimesh.

Nga këtu unë dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’ju uruar që të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat, shëndet, sukses dhe mbi të gjitha kurajo të gjithë atyre, që janë të pamundur, të sëmurë, të papunë, në pafuqinë për të përballuar vështirësitë e rritura të një jetë gjithnjë e më të shtrenjtë, me më shumë mundime”.

“Por ajo çka vlen vërtet të thuhet dhe në hirin e kësaj dite është se kurajoja dhe besimi padyshim mund të çojnë përpara jo vetëm secilin, por edhe të gjithë shoqërinë tonë dhe unë jam i bindur që kështu do të ndodhë”, tha Rama.