Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 15:08

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi të enjten, ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe të Presidentit të Republikës për zgjidhjen e situatës paszgjedhore në Shqipëri.

“KQZ po vazhdon të konsumojë në televizor një krim me pasoja të pallogaritshme për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vetë stabilitetin e këtij vendi. Opozita shqiptare dhe PS, si zëri i saj, nuk do pushojë së kërkuari rrugëdaljen demokratike, ligjore e politike nga ky qorrsokak ku po ndryhet Shqipëria”, tha Rama.

Duke shprehur bindjen se i ka fituar zgjedhjet në Tiranë, Rama tha se përmbysja e rezultatit të atij numërimi në tavolinën e KQZ-së, nuk do të mund të kthehet në fakt të kryer pa asgjësuar më parë opozitën shqiptare.

“Çdo llogari e bërë mbi bazën e përdorimit të forcës mbi opozitën për t’i imponuar një rezultat të paligjshëm është kryekëput e gabuar. Ndaj ne i bëjmë thirrje komunitetit të miqve, SHBA, BE, OSBE dhe çdo mik e partner tjetër që të mos e lenë vetëm Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë orë dramatike”, tha Rama, duke shprehur besimin se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë të këtij vendi.

Gjithashtu, Rama i bëri apel Presidentit të Republikës që, si garant i Kushtetutës dhe kryetar i KLD-së, të veprojë në mbrojtje të unitetit kombëtar dhe stabilitetit demokratik të vendit, duke marrë në mbrojtje institucionin e votës së lirë.

“Përmes një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore nga ana e katër anëtarëve të KQZ-së, opozita do të kërkojë në orët në vijim ndërhyrjen e prokurorisë për të administruar me shpejtësi të gjitha provat e krimit elektoral që po konsumohet në tavolinat e KQZ-së dhe të fillojë menjëherë hetimin e kësaj vepre antikombëtare, antikushtetuese dhe antiligjore me qëllime të errëta politike”, tha Rama.