Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të mbajë premtimin e dhënë duke pranuar çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore.
Në mbledhjen e parë për këtë vit të grupit parlamentar të PS-së, Rama theksoi se përmirësim i sistemit zgjedhor është në dobi të vendit, të shoqërisë dhe politikës shqiptare.
“I bëj sot apel kreut të palës tjetër, për t’a konsideruar përmirësimin e sistemit si dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën. Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vjet liri nuk kemi arritur tu japim shqiptarëve të drejtën e votës, ne duam ta kthejmë këtë vit në atë të ndarjes përfundimtare nga realiteti i vjedhjes së zgjedhjeve për të vjedhur vendin”, tha Rama.
Ai ka kërkuar përfundimin e reformës brenda afatit të përcaktuar, që të adresojë rekomandimet e OSBE, lista të sakta e pa manipulim, identifikimi i zgjedhësve, numërimi i votave që të mos përsëriten numërimet maratonë, administratë zgjedhore që KQZ të mos jetë monopol i dy partive të mëdha.
“Duam reformë zgjedhore që të adresojë rishikimin e sistemit, duke e prekur ose jo Kushtetutën, me këtë nuk nënkuptojnë ndryshimin, por përmirësimin e tij”, ka shtuar më tej Rama.
Ai ka theksuar gjithashtu se kryeministri Berisha që në fillim të këtij viti ka dëshmuar hapur egërsinë e pushtetit ekzekutiv për gjyqësorin. “Ai ka goditur me një gjuhë mafioze prokurorinë dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes Meta”, theksoi Rama.
Rama komentoi edhe 100-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shprehu se objektivi i forcës politike që ai drejton mbetet marrja e stuatusit kandidat në BE. “Është viti i 100 vjetorit të Pavarësisë, Objektivi ynë është të bëjmë më të mirën që t’i japim vendit statusin e BE”, tha Rama. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 January 2012 15:30