Tiranë- Kreu i PS, Edi Rama, njëherësh kryeministri i zgjedhur ka dhënë sot një intervistë për Sara Montague, gazetaren e emisionit “Hard Talk” në BBC. Cështje si zgjedhjet, qeverisja, korrupsioni por edhe 21 janari ishin ato për të cilat Rama foli në këtë intervistë.
Ai e cilësoi të tmerrshëm, vendimin e dhënë për 21 janarin, ndërsa u shpreh se do bëhet gjithçka për një proces të drejtë. Sipas Ramës, Sali Berisha ka përgjegjësitë e tij në lidhje me këto ngjarje.
“Vendimi për 21 janarin ishte i tmerrshëm. Mendoj që këto ngjarje s’do harrohen kurrë dhe them se nuk mund të gjykohen më me mënyrën e vjetër, pra atë të transformimit të fakteve. Do bëjmë gjithçka mundemi për një proces të drejtë dhe të pavarur. Kjo ka të bëjë me drejtësinë, Berisha ka pasur përgjegjësinë e tij për ngjarjen. Gjyqi për 21 janarin duhet të vazhdojë. Ne do bëjmë gjithçka mundemi që të ketë një process, që familjet e viktimave të asistohet në mënyrën e duhur”, tha Rama.
Ndërsa duke komentuar procesin e zgjedhjeve, Rama u shpreh se ato ishin prova që treguan se Shqipëria ka kaluar në një nivel të ri.
Duke u ndalur tek problemet që e presin qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, Rama e vuri theksin tek korrupsioni. Ai nënvizoi se vendi do t’i nënshtrohet një vargu reformash që kanë në themel luftën ndaj korrupsionit.
“Ka probleme për mbledhjen e taksave, sidomos në dogana. Sistemi doganor është i korruptuar, por ka shembuj që ne mund ta ndryshojmë. Pastrimi i korrupsionit sjell më shumë investime, më shumë të ardhura. Kemi gjetur mënyrën të bëjmë reforma. Ne do ndjekim historitë e suksesit jashtë vendit, që kanë treguar se korrupsioni mund të mposhtet. Kemi nevojë për reforma të thella, kemi edhe vullnetin”, vijoi ai.
Duke u ndalur tek situata ekonomike, kryesocialisti nënvizoi se, “ Ne po presim për një program të vecantë nga FMN dhe BB, shpresojmë që ky program të dalë para se të hartohert buxheti i ri. Jam i bindur që do paraqesë situatën reale të ekonomisë sonë”.
Në vështrimin e Ramës, Shqipëria është “një vend i vogël, shumë tërheqës dhe shumë funksional. Kemi njerëz që kanë treguar se kur vihen në kushte pune mund të bëjnë gjëra të mëdha”, tha ai.
Thursday, 18 July 2013 11:47