Shkup-Radio Shkupi, kanali në gjuhën shqipe pranë Radiotelevizionit të Maqedonisë ka vendosur ndërprerjen dhe mos emetimin e programeve të çfarëdo lloj aktiviteti të reprezentacioneve sportive të Maqedonisë. 
“Duke u nisur nga fakti se në vazhdimësi tifozët e reprezentacionit të Maqedonisë, pavarësisht se për cilin sport bëhet fjalë, qoftë hendboll, futboll, basketboll apo ndonjë sport tjetër, ofendojnë shqiptarët në baza etnike, Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe ka sjellë vendim të mos informojë opinionin për çfarëdo lloj aktiviteti që kryen reprezentacioni”-thuhet në njoftim.
Radio Shkupi vijon më tej duke kërkuar ndërgjegjësimin e autoriteteve të Maqedonisë lidhur me këtë çështje. “Me këtë u drejtohemi edhe mediave tjera shqiptare të bëjnë të njëjtën gjë, duke shpresuar kështu në senzibilizimin e opinionit, sidomos të atij vendimmarrës në shtet, për të marrë masa të nevojshme duke dënuar ata të cilët përdorin fjalorin e urrejtjes sepse vetëm kështu mund të eliminohen këto dukuri negative, të cilat pa dyshim se po reflektojnë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike”, thuhet në njoftimin e radio Shkupi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 11:37