Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 12:11

Tiranë – Ekspozita e projekteve për bulevardin dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës është vizituar nga qytetarë të shumtë, të cilët po plotësojnë formularin, ku japin vlerësimin për projektin më të mirë.

Mbi 1300 vizitorë kanë parë nga afër maketet e ekspozuara në Muzeun Kombëtar dhe rreth 700 prej tyre kanë plotësuar formularin që u mundëson dhënien e mendimeve, sugjerimeve apo paqartësitë që kanë për dy projektet në garë.

Për herë të parë kjo ekspozite ka ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë që ka pjesëmarrja e tyre në vendimmarrjen e qytetit ku jetojnë.

“Tërhiqem nga projektet që synojnë shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, parqeve me liqene, pasi këto i mungojnë qytetit, i mungojnë sidomos fëmijëve”, shprehet Alfredi, një qytetarë, i cili prej disa vitesh është rikthyer për të jetuar në Shqipëri.

Me profesion inxhinier, ai tregon se i pëlqejnë masterplanet e dy studiove arkitekturore pretendente për të fituar, “GrimshaW” dhe DAR. “Këto projekte i përgjigjen nevojave të ngutshme që ka Tirana, por preferenca ime anon nga masterplani i studios “DAR”, pasi propozon dhe jep mundësinë për një Tiranë të gjelbër me dy parqe liqenorë”.

Për Gentin, një student në Universitetin e Tiranës, e ngutshme është pastrimi i lumit të Tiranës dhe evidentimi i vlerave kulturore tiranase. “Projekti i studios ‘GrimshaW’, më duket më i përshtatshëm”, tha ai.

Ndonëse me orare të reduktuara, ekspozita ka ndërgjegjësuar qytetarët që të jenë pjesë e vendimeve të rëndësishme për qytetin ku jetojnë çdo ditë.

Maketet do të qëndrojnë të ekspozuara deri në datën 20 të këtij muaji duke i dhënë mundësi të gjithë banorëve të kryeqytetit të shprehin mendimin e tyre për projektin që meriton të përzgjidhet për Tiranën e shekullit të XXI.

“GrimshaW” dhe “DAR”, pjesëmarrëse në konkursin për masterplanin e zgjatimit të Bulevardit “Zogu I” në kryeqytet nga “Stacioni i Trenit” deri te lumi i Tiranës, kanë marrë nga juria vlerësime të barabarta për masterplanet e paraqitura.  Dilema për masterplanin fitues, pritet të zgjidhet në ditët në vijim.