Prishtinë – Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë përsëritur mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Ata janë takuar sot me kryeministrin Hashim Thaçi për të biseduar lidhur me zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë nesër. Ambasadorët e vendeve të Quintit kanë shprehur mirënjohjen për mënyrën e bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë.
Është veçuar bashkëpunimi që ka pasur qeveria me KFOR-in dhe EULEX-in gjatë përgatitjeve për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën. Ambasadorët kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare.
Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Ambasadorët e vendeve të Quintit theksuan edhe njëherë se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 September 2011 15:41