Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 15:19

Shkup – Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) nga Shkupi sot iu bëri apel partive politike për proces zgjedhor të qetë, korrekt dhe të civilizuar.

“Vendosëm që të përkujtojmë edhe një herë partitë politike se fushata parazgjedhore dhe procesi zgjedhor në tërësi duhet që të bazohet në normat ligjore dhe rregullat demokratike, ndërsa beteja politike për besimin dhe votat e qytetarëve të bazohet në ofertën  e zgjidhjeve të duhura kadrovike dhe programeve dhe platformave të qarta partiake, ndërsa përmes etiketimit, fyerjeve dhe nënvlerësimeve të oponentëve politikë”, tha në pres-konferencë Muhamed Murtezi, kryetar i QMBI-së.

Ai theksoi se qytetarët meritojnë një proces paqësor zgjedhor, pa trauma psikologjike dhe dhunë fizike që siç tha, për fat të keq jemi mësuar që ta shohim në periudhën e kaluar.

QMBI-ja publikisht i bëri apel liderëve politikë në Republikën e Maqedonisë që ta mënjanojnë fjalorin e tyre të ofendimeve dhe sharjeve kundrejt oponentëve politikë, të heqin dorë nga të gjitha format e presionit dhe kanosjeve kundrejt qytetarëve, mediave dhe sektorit OJQ, të distancohen nga çdo lloj provokimi dhe formave të manifestimit të dhunës, të zhvilllojnë një fushtatë pozitive zgjedhore dhe të tregojnë pjekuri politike.

Murtezi theksoi se fushta e vërtetë parazgjedhore dhe mungesa e dhunës do të kontribuojnë që më 5 qershor të kemi një ditë zgjedhore të qetë dhe festive.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Murtezi tha se shpreson se këto zgjedhje do të jenë më të ndryshme sepse investimi është shumë më i madh.