Lajme Shqip Lajme Shqip Friday, 28 October 2011 09:13

Prishtinë – Dëshmitari Agim Zogaj ka shkruar qindra letra që përbëjnë një dosje të quajtur “Dëshmia e dëshmitarit X”. Koha Ditore ka paralajmëruar në numrin e sotëm botimin e ditarit të dëshmitarit Agim Zogaj në vazhdimësi. Pas publikimit ekskluziv të aktakuzës ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve dhe, më vonë, publikimin për herë të parë dhe ekskluzivisht të videoregjistrimit të dëshmisë në tri pjesë të ndara, sot, e përditshmja kosovare Koha Ditore ka botuar ditarin e dëshmitarit Agim Zogaj, e cila shkruan se dëshmitari “X” ka shkruar qindra letra që përbëjnë një dosje të quajtur “Dëshmia e dëshmitarit ‘X’”.


Fotografia e publikuar për herë të parë dhe ekskluzivisht nga Portali LajmeShqip.com

Videoregjistrimin e dëshmitarit X të publikuar nga portali mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Shkrimi i sotëm fillon me “Mbrëmje. 21 janar 2009”, titulli ky që Agim Zogaj i kishte vënë një letre: “Prapë filluan kërcënimet ndaj meje”.

Dhe, kishte shkruar shumë të tilla gjatë dhe pas luftës. Qindra sosh. Madje, edhe një të kualifikuar si letër amanet, me të cilën akuzonte EULEX-in se po e çonte drejt vdekjes. Ajo ishte e fundit. Qindra të tjera kishte shkruar prej janarit 1999, kur kishte vendosur të linte në dorëshkrim informata për burgosje dhe ekzekutime njerëzish që po i kryente një grup të cilit pretendon se i takonte edhe vetë. Ato tash po përdoren si prova materiale kundër një komandanti e nëntë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas lufte, kishte shkruar për kërcënimet që i bëheshin nga njerëzit e grupit.

Ky njeri që deri më 25 shtator është identifikuar me shkronjën “X”, është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Atë e kishte EULEX-i në mbrojtje prej kur ua ishte dorëzuar autoriteteve dy vjet më parë, kur kishte filluar të dëshmonte për krime që pretendonte t’i kenë kryer Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. Prej asaj kohe, ende nuk janë sqaruar të gjitha rrethanat, përveçse është thënë se është vetëvrarë.

Letrën e janarit të 2009-s, Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Kleçka” e kanë pranuar si të shkruar nga dora e Agim Zogajt. Po kështu, ajo bashkë me qindra të tjera janë pranuar si prova materiale në gjykimin kundër deputetit Fatmir Limaj dhe të tjerëve.

Gazeta shkruan se do t’i botojë të gjitha në vazhdime, pas konsultimit me ekspertë juridikë që e kanë siguruar se botimi i tyre nuk përbën shkelje penale.

Në letër, shkruan më tej gazeta, kishte shkruar se si deputeti Fatmir Limaj po ia kërcënonte gruan, Ganimeten, që të mos dëshmonte sepse, siç shkruanr, mund të kishte pasoja. Kërcënimet po i vinin nëpërmjet disa njerëzve që Zogaj i cilësonte si “grupi i Fatmir Limajt”.

Letrat e shkruara nga një dorë

Këto dorëshkrime, që janë të shkruara kryesisht me shkronja të mëdha shtypi, sipas njohësve të grafologjisë, janë identike me shkrimin në letrën që familja e Zogajt ia ka ofruar gazetës pas vdekjes së tij, me anë të së cilës e akuzon EULEX-in “se e ka torturuar” dhe “e donte të vdekur”, shkruan e përditshmja kosovare, Koha Ditore.