Tiranë- Projektbuxheti i qeverisë së Shqipërisë për vitin 2012 parashikon 330 milionë lekë për integrimin europian të vendit.
Sipas një njoftimi zyrtar koordinimi me efektivitet për hartimin e 35 kapitujve të progres- raportit 2012, në përputhje me detyrimet e MSA-së dhe rekomandimet e raportit analitik 2011, është një prej objektivave kryesorë të Ministrisë së Integrimit Evropian, për të cilën projektbuxheti për këtë vit parashikon 330 milionë lekë.
Një tjetër objektiv i kësaj ministrie për vitin 2012 është zhvillimi i 8 takimeve BE-Shqipëri për monitorimin e zbatimit të detyrimeve të MSA-së.
Trajnimi i stafit të Drejtorisë së Tregut të Brendshëm dhe drejtorisë së Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme (20 punonjës) mbi çështjet e integrimit europian për vitin 2012 është një tjetër objektiv i kësaj ministrie.
Gjithashtu, përafrimi i 3000 faqeve të legjislacionit evropian me legjislacionin vendas për vitin 2012, rritja e efiçencës dhe koherencës së ndihmës financiare të BE-së në Shqipëri, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkufitar janë disa nga objektivat e kësaj ministrie për vitin 2012.
Trajnimi dhe përgatitja e 200 nëpunësve të administratës publike për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe përkthimi dhe përgatitja e versionit shqip të 20% të legjislacionit evropian, si një ndër detyrimet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe përkthimi i legjislacionit shqiptar në një nga gjuhët e BE-së, janë disa nga objektivat e tjerë të kësaj ministrie për vitin 2012, të cilat do të financohen të gjitha nga buxheti i qeverisë.
2,16 miliardë lekë për politikën e jashtme
E ndërkohë projektbuxheti i qeverisë për vitin 2012, parashikon 2.16 miliardë lekë për ministrinë e jashtme, me një rritje prej 17 milion lekë në krahasim me vitin e kaluar.
Qeveria justifikon këtë rritje me zgjerimin e përfaqësimit diplomatik dhe konsullor në vendet e tjera, me organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale si dhe përmirësimin e strukturës së përfaqësive diplomatike dhe konsullore në funksion të përmbushjes së detyrave të përcaktuara për to si një prej objektivave kryesorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Gjithashtu objektiva të MPJ-së do të jenë edhe sigurimi i komunikimit të shpejtë dhe të sigurtë ndërmjet përfaqësive diplomatike dhe konsullore me MPJ si dhe prezantimi tyre on-line nëpërmjet shfrytëzimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit bashkëkohore. Sigurimi i ambienteve dhe lehtësirave teknike për përfaqesite diplomatike dhe konsullore të reja si dhe përmirësimi i atyre ekzistuese. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 January 2012 14:42